Shangai “mashtroi” botën, spektakli me dronë nuk u realizua për Vitin e Ri

Shfaqja spektakolare e mijëra dronëve që fluturonin mbi qytet si pjesë e festimeve të vitit të ri në Shangai, u përcoll në të gjithë botën. Por qytetarët e Shangait nuk i kishin parë dronët, madje pretendojnë se atë natë nuk ka pasur asnjë festim. Ka një shpjegim për këtë.
Spektakli dramatik nuk u realizua mbrëmjen e ndërrimit të viteve, por gjatë një fluturimi prove në 28 dhjetor. Këtë e konfirmoi për BBC kompania që ideoi shfaqjen.
Pamjet e spektaklit mbresëlënës u përcollën mediave botërore nga media shtetërore kineze. Aty duken 2 mijë dronë teksa pushtojnë qiellin e distriktit të Pudong në Shangai, duke krijuar format e fishekzjarrëve, një njeriu që ecën mbi lumë, numrin 2020 dhe shkronja kineze.
Spektakli u vlerësua nga mediat ndërkombëtari si një alternativë futuristike dhe më ambientaliste ndaj fishekzjarrëve tradicionalë.