Shefi i Mikrobiologjisë në QSUT: Testet serologjike, në fazën e parë kemi testuar 440 persona

Në një moment ku rastet me COVID-19 në vend duket sikur po stabilizohen, vëmendja tashmë po i drejtohet edhe masave të parandalimit dhe testimit të popullsisë.
Patjetër që testet serologjikë janë disa prej instrumenteve më të rëndësishme në këtë luftë ndaj pandemisë. Andi Koraqi, shefi i laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, thotë për A2 se ka dy javë që kanë filluar testimet.
“Në fazën e parë, jemi fokusuar në testimin dhe validimin e testeve serologjikë. Ato janë të përdorur edhe në vende si Kina, Spanja dhe Italia, por janë gjithsesi teste të reja që kanë nevojë për një fazë validimi”, thotë Koraqi.
Koraqi zbulon se në këtë fazë, që ai cilëson si “e suksesshme” janë testuar 440 persona, “ku 170 janë pacientë dhe të tjerët pjesë e personelit shëndetësor”.
Sipas tij, rezultatet edhe pse të mira janë ende jo përfundimtare, dhe se do vazhdohet me të dhëna të tjera. “Më vonë, do të marrim vendim që të shtrijmë testimin edhe në popullsi”, thotë mikrobiologu.