Shehu: Represioni ka futur qytetarët në një guaskë letargjie, duhet t’i ndihmojmë

Një nga figurat historike të Partisë Demokratike, deputeti Tritan Shehu, komenton i ftuar në A2 për strategjinë e opozitës që do të finalizohet me protestën e 16 shkurtit.
Sipas Shehut, duke parë veprimet e qeverisë Rama, që sipas tij janë “arrogante dhe arbitrare, dhe që vijnë ndesh ndaj Kushtetutës dhe dinjitetit të vendit në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar”, nuk ka asnjë qytetar shqiptar, “qoftë simpatizant socialist”, i cili nuk ka arsye për të protestuar. Për këtë arsye protesta e 16 shkurtit “është e hapur për të gjithë”.
Po feedback-u i elektoratit, i cili është? “Kam takuar elektoratin në gjithë Qarkun e Gjirokastrës jo vetëm për të sensibilizuar qytetarët për të kuptuar problemin , por për t’i ndihmuar që të dalin nga guaska e letargjisë, që i pengon të dalin hapur për të kërkuar të drejtat e tyre. Shtypja, represioni varfëria të bëjnë të strukesh në vetvete”.
Si pjesë e agjendës demokrate, Shehu paralajmëroi edhe një protestë në Gjirokastër me datë 9 shkurt, që do të paraprijë atë të Tiranës.
Si ish Ministër i Jashtëm, Shehu nuk mund të mos pyetet edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ai nuk do të hyjë në detaje por në lidhje me diskutimet e fundit mbi taksimin 100% për mallrat serbe, ai thotë që “Kosova ka qeverinë dhe parlamentin e saj, por mund të them që aksioni i saj duhet të jetë e koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet kryesore të BE”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN