Shifrat dramatike të turizmit, Vathi: Nuk arkëtojmë asgjë nga nëntori

Një tjetër sektor i goditur fort nga pandemia është turizmi, një ndër degët kryesore në punësim, por edhe në zhvillimin e ekonomisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë periudhës së karantinës, xhiro e agjencive të udhëtimit ra me 85,6%, ndërsa në tremujorin e tretë që janë edhe muajt e verës dhe duhet të ishte edhe pika kulmore e punës së këtij aktiviteti, rënia u vlerësua në 56,9%.

Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve, tha në A2 Business, se rënia është edhe më e madhe se kaq. “Sektori i turizmit është më i godituri nga pandemia. Diferenca e sektorëve të tjerë me tonin është e madhe. Ky sektor ka pësuar rënie me 90% në raport me vitin e kaluar. Këto shifra janë marrë nga një sondazh që kemi bërë me anëtarë të shoqatës dhe jo anëtarë”.