Shirat ‘’pushtojnë’’ vendin, përmbytje rrugësh në Durrës dhe Vlorë

Reshjet e nisura mesditën e së hënës dhe që vazhduan për gjatë gjithë natës në të gjithë territorin e vendit kanë krijuar përmbytje të rrugëve, kryesisht në qytet bregdetare si dhe rënie dherash dhe gurësh në akse nacionale. Rrugët e qytetit të Durrësit ishin të parat që u përmbytën.
Situatë problematike u raportuan në lagjet nr. 18 dhe nr.1, aksi “Pavarësia”, rruga “Egnatia”, zona e Shkozetit etj, ku niveli i ujit rrezikoi të vërshojë edhe në banesa.
Edhe në qytetin e Vlorës shirat me intensitet krijuan problem në rrugët e qytetit. Kryqëzimet në bulevardin kryesor, rrugët që lidhin “Transballkaniken” me bulevardin e qytetit si dhe disa rrugë në lagjen “Pavarësia” për rreth një orë gjatë mbrëmjes të së hënës kaloheshin me vështirësi për shkak të prezencës së ujit. Nxjerrja e autoboteve që thithin ujin stabilizuan situatën.
Ndërkohë, si në rrugët në veri të vendit ashtu si edhe në jug ka patur rrëshqitje të gurëve dhe dherave, por fatmirësisht pa shkaktuar problematika, ndërsa nuk raportohet deri më tani asnjë aks i bllokuar.