Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Shiu 20 milionë eurosh

Nga A2 CNN
20 Shtator 2022, 16:17 | Ekonomi
Shiu 20 milionë eurosh

Përpos përmbytjeve dhe dëmeve të tjera që shkaktuan reshjet e fundjavës, ato ndikuan edhe në rritjen e nivelit në Kaskadën e Drinit. Si rrjedhojë, Shqipëria kurseu rreth 20 milionë euro dhe sot ka mundësinë të depozitojë edhe një sasi të vogël energjie në Kosovë.

Thënë thjesht, reshjet e dendura të fundjavës mbushën hidrocentralet dhe kursyen shumë para, që në të kundërt do të ishin shpenzuar për importe. Kjo vlerë llogaritet në miliona euro, me çmimet aktuale të tregut.

Niveli i digës matet në lartësinë mbi nivelin e detit, por thelbi është se sa më shumë ujë në liqene, aq edhe më shumë energji në dispozicion, e quajtur rezervë. Rezerva energjetike në datën 14 shtator ishte 435 GWh, apo gati sa 1 muaj konsum. Pas shirave intensivë të fundjavës, kjo rezervë shkoi në rreth 485 GWh, ndërsa sot është rreth 471 GWh.

Gjatë ditëve të fundit, çmimi i energjisë në bursën hungareze ishte mesatarisht 390 euro për njësi. Në kaskadën e Drinit, brenda pak ditësh, u shtuan 50 GWh, pa llogaritur pjesën që shkoi për të prodhuar energji elektrike. Në total, shiu i dhuroi Shqipërisë mbi 20 milionë euro.

Sot, KESH po prodhon të gjithë energjinë e kërkuar për konsum në vend, pa nevojë për import, ndërsa po depozitohen në Kosovë edhe 560 MWh, sasi e barabartë me 1 orë konsum në vendin fqinj, që vuan nga ndërprerjet e energjisë.

Por, duke filluar nga 21 shtatori, deri në fillim të javës së ardhshme, KESH do të shfrytëzojë energjinë e blerë në ankand, ditën e hënë. Kjo për t’i dhënë edhe një frymëmarrje më të madhe kaskadës, në pritje të reshjeve të radhës.

Për këto 5 ditë energji, kompania shpenzoi 10,2 milionë euro, duke blerë me një çmim mesatar prej 435 eurosh për megavatorë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë