Shpërthimi në Liban, vijojnë kërkimet për të mbijetuar, akuza qeverisë

Pas dhimbjes dhe shkatërrimit që solli shpërthimi katastrofik i së martës ne Bejrut, mbizotëron zemërimi. Qytetarët mendojnë se neglizhenca e qeverisë çoi në tragjedinë e ndodhur në port, dhe e akuzon atë për korrupsion dhe keqmenaxhim.
Presidenti Michel Aoun tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga 2750 ton nitrat amoni, i depozituar në mënyrë të pasigurt në një magazinë. Të paktën 135 vetë mbetën të vrarë në shpërthim dhe mbi 4 mijë të tjerë u plagosën.
Në vend ka nisur gjendja 2 javore e emergjencës. “Ajo që ndodhi na ka tronditur plotësisht. Në vendin tonë nuk ka fare siguri; je duke u kthyer nga puna dhe gjithçka mund të shkatërrohet në një sekonde, udhëhiqemi nga njerëz të paaftë”, thotë Stephanie Neiameh, një vajzë e re libaneze.
Të mërkurën qeveria njoftoi se një numër zyrtarësh në port ishin vendosur në arrest shtëpie, ndërsa zhvilloheshin hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes tha se përgjegjësit do të përballeshin me ndëshkimin maksimal, ndërsa presidenti Aoun premtoi një hetim të drejtë e transparent.
“Jemi të vendosur për të hetuar dhe zbuluar sa më shpejt atë që ndodhi, e për të ndëshkuar personat përgjegjës”, deklaroi presidenti i Vendit, Michel Aoun.
Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë kërkuar hetim të pavarur për ngjarjen, por sipas organizatave ka shqetësime mbi aftësinë e sistemit gjyqësor libanez për të kryer një hetim të besueshëm.
Siç mësohet nitrati i amonit, një kimikat shumë i rrezikshëm i përdorur si pleh dhe eksploziv, kishte qenë në magazinën pranë portit të Beirutit që prej 2013-tës. Shefi i portit dhe ai i doganës, thanë se u kishin shkruar disa herë autoriteteve të drejtësisë, për zhvendosjen apo shitjen e kimikatit, për të garantuar sigurinë e portit.
Megjithatë menaxheri i portit pretendon se nuk e dinin se ai mund të ishte kaq i rrezikshëm. Forcat e sigurisë kanë rrezuar një zonë të gjerë, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.
Dhjetëra persona vijojnë të jenë të zhdukur. Autoritetet shëndetësore ngrenë alarmin për gjendjen e mjerueshme në spitale, ku mungojnë shtretërit dhe pajisjet për trajtimin e pacientëve në gjendje kritike. Një numër shtetesh kanë ofruar mbështetje humanitare, përfshirë Franca, Rusia, Tunizia, Irani, Turqia dhe Katari.