“Shpëtoi” Dajtin, gjyqtarit të Apelit nuk i kthehen 17 mijë eurot

Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e Skënder Daminit, një prej tre gjyqtarëve që shpëtuan nga burgimi i përjetshëm Dritan Dajtin, për t’i kthyer telefonin celular dhe 17 mijë euro.
Shuma e parave u sekuestrua gjatë kontrollit policor në banesën e gjyqtarit në 15 shkurt. Ditën e kontrollit gjyqtari i Apelit Vlorë, i dyshuar për “korrupsion” deklaroi se eurot i përkisnin të birit biznesmen.
Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura gjyqtarja Ilirjana Olldashi shqyrtoi në një seancë të vetme dy kërkesat e paraqitura veçmas nga Skënder Damini dhe djali i tij, Lisien, përkatësisht kthimin e telefonit celular dhe të shumës 17 mijë euro.
Babë e bir nuk u paraqitën në gjykatë ku u përfaqësuan nga avokati Theodhori Sollaku, argumentet e të cilit nuk bindën gjyqtaren Baku. Prokuroria për Krimet e Rënda dyshon se Skënder Damini dhe dy kolegët e tij Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli kanë marrë para për të dhënë një vendim të favorshëm ndaj Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër policëve.
Por kjo nuk po ndodh me “strumbullarin” e historisë. Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda konfirmuan për A2 CNN se Dritan Dajti nuk është nën hetim për rastin.
Ndërkohë prokurorët janë duke verifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakte apo vizituar në burg Dajtin, si edhe kontakte të tyre direkte apo indirekte me tre gjyqtarët.

Shkarkoni aplikacionin e A2