Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Shqipëria dhe Arbitrazhi, juristët “gjykojnë” çështjet e humbura

Nga A2 CNN
9 Shtator 2020, 20:30 | Ekonomi
Shqipëria dhe Arbitrazhi, juristët “gjykojnë”

Juristët shprehen se Shqipëria mund të kishte shmangur një tjetër proces gjyqësor me investitorë të huaj. Avokatja e specializuar në çështjet e Arbitrazhit, Klentiana Mahmutaj, shprehet se padia e kompanisë AKTOR në Arbitrazh mund të ishte evituar thjesht duke respektuar afatet ligjore.

“Përpara se çështja të shkonte në Arbitrazh, kishte një mosmarrëveshje mbi shumën e parave që Ministria e Transportit i detyrohej palës paditëse. Ishin rreth 11 milionë dollarë për segmentin e tretë dhe 25 milionë dollarë për segmentin e parë, që bordi i cili merrej me zgjidhjet miqësore, vendosi që pala shqiptare i detyrohej paditësit. Nëse pala shqiptare do të konsistonte këtë vendim brenda afatit 28-ditor, ndoshta ky lloj arbitrazhi mund të ishte shmangur”, tha Mahmutaj.

Ish-avokatja e Shtetit, Ledina Mandija, e cila është përballur me çështje të tilla në emër të palës shqiptare, tregon se mbrojtja më e mirë nis që me hartimin e kontratave: “Nëse juristët përfshihen seriozisht që në fillim të kontratës dhe klauzolat janë të qarta, ka më pak shanse që kontrata të jetë e interpretueshme”.

Sipas ish-avokates së Shtetit, edhe pse qeveria deklaron se nuk i njeh vendimet, si në rastin Becchetti, thjesht buxhetimi i kostove të tyre tregon se pranon që duhet t’i paguajë. Sipas saj, nëse nuk ekzistojnë shkaqet për të refuzuar njohjen e vendimeve, rezultati do të jetë vetëm shtim i kostove gjyqësore dhe rritje e interesave.

Mandija shton se ndryshe nga perceptimi i viteve të fundit, Shqipëria jo gjithmonë ka qenë humbëse në arbitrazh.

Nga ana tjetër, avokatja Mahmutaj deklaron se çështjet e arbitrazhit janë normale dhe nuk cenojnë me doemos imazhin e vendit tek investitorët.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani