Shtatorja e diktatorit ra, por çfarë ndërtuam në vend të saj, 30 vite më pas?

Pas 30 vite nga rënia e regjimit komunist, çfarë kemi mësuar si shoqëri nga ajo datë dhe në çfarë sistemi jetojmë sot? Analisti Afrim Krasniqi, edhe pse mendon se demokracia e sotme është hibride, sërish thotë se ”pavarësisht se na duket si një fotokopje e demokracisë së vërtetë, dhe nuk është sistemi që duam, sërish është pjesa më e mirë që shqiptarët e kanë kaluar si shtet.
Krasniqi analizon gjenezën e demokracisë, dhe e cilëson atë si të papërgatitur në atë kohë, për sfidat shpesh herë të ndërlikuara të demokracisë perëndimore. “Patëm ndryshim elitash, Ku ajo e partisë së Punës u largua ndërkohë që ajo e mesme u bashkua me proceset demokratike duke u shpërndarë në partitë politike. Shqipëria nuk kishte disidencë të organizuar, asnjë parti nuk drejtohej nga të përndjekur politikë. U nxor parulla, “bashkëvajtjes dhe bashkëfajtorë!”, ishte e njëjta lëndë, ishte shoqëria komuniste shqiptare që kalonte në demokraci, por ky nuk është proces mekanik, kishte nevoje për sakrifica, lidership dhe vizion, vetë konceptin e demokracisë. Sfida për të cilat nuk ishim të përgatitur, dhe duhet të pranojmë se ishin shumë më të avancuara se gjendja e shoqërisë shqiptare në atë moment”, thotë analisti për A2.
Një shoqëri që nuk mundi të konkretizonte lustracionin, dhe ku madje sipas tij “pala që duhet të kërkonte falje publike, përfitoi nga rasti, u riorganizua duke ricikluar në disa raste të njëjtat persona”, madje edhe sot mungon një analizë e kësaj gjeneze, e pavarur nga qasja dhe presioni politik.