Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Shtrenjtohet edhe drejtësia, harta e re gjyqësore kritikohet edhe nga hartuesit e reformës në drejtësi

Nga A2 CNN
14 Korrik 2022, 10:35 | Politikë
Shtrenjtohet edhe drejtësia, harta e re gjyqësore kritikohet edhe nga

Harta e re gjyqësore është një histori e mbyllur që pret vetëm vulën e Këshillit të Ministrave. Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri dolën përpara deputetëve të Komisionit të Ligjeve ku njëra palë akuzonte tjetrën për ecurinë e reformës.

Dhoma kombëtare e Avokatisë është institucioni që e refuzon shpërndarjen e re të gjykatave në vend, duke ia thënë në sy deputetëve se si efekt të parë do të jetë kosto në xhepin e qytetarëve. “Ne nuk kemi hallin se si do të paguhemi, përkundrazi, është fundorja që do t’i rëndojë xhepin, por edhe ajo do të merret”, tha Maks Haxhia.

Qasjes kritike të avokatëve iu bashkua edhe ish-kryetari i komisionit që hartoi reformën në drejtësi. “Po i marrim kostot që i kishte shteti deri dje me transferimet e po ia kalojmë qytetarit”, tha Fatmir Xhafaj.

Kundër këtyre qëndrimeve doli kryetarja e KLGJ-së dhe Ministri i Drejtësisë të cilët nuk e mohuan se marrja e drejtësisë do të kushtojë edhe më shtrenjtë. “Nuk është gjykata furrë buke që secili në lagje të shkojë e ta marrë shërbimin e drejtësisë si me ble bukën te furra”, tha Ulsi Manja. “Patjetër që kjo është një kosto që do të ketë çdo qytetar në marrjen e shërbimit në gjykatë dhe avokati është pjesë e shpenzimeve”, tha Naureda Llagami.

Kostoja e qytetarëve rritet pasi gjykatat do të shkrihen, situatë më e theksuar kjo tek Apelet ku do të ketë një të vetëm për të gjithë Shqipërinë. “Unë përfaqësoj votues që për të shkuar në apel maksimumi duhet të kalojnë Lanën, por janë në Korçë që duhet të kalojnë tre qafa”, tha Pandeli Majko.

Por mungesa e aksesit në gjykatën shqiptare i hap rrugë padive në Strasburg. “Prevalon aksesi i qytetarëve në drejtësi, kjo është themelore sepse nesër këto çështje mund të shkojnë në Strasbug”, tha Xhafaj. “Tani na është bërë kjo çështja si këpuca e hirushes, do të përshtatim këmbën me këpucën, jo këpucën me këpucën”, tha deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Mbledhja e komisionit zgjati për gati 7orë, ku shfaqja e problemeve teknike nuk mungoi. Rindezja e sistemit të transmetimit rinisi edhe debatin në sallë për funksionimin e sistemit të drejtësisë pas bojkotit të avokatëve, ku ekzekutivi njoftoi ndryshime ligjore nëse nuk ndryshojnë qasje mbrojtësit e të akuzuarve.

Tonin më të fortë duket se ia dha Fatmir Xhafaj që i kujtoi kryetares së KLGJ-së se përpara kësaj detyre ushtronte profesionin e avokates. Debati në komision nuk ndryshoi qasjen e KLGJ-së, e as të ekzekutivit për të cilën Ulsi Manja i vuri vulën verbale.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani