Si ngrohen fëmijët në shkollat e Tiranës? Bashkia: Kemi ngrohje kudo, Kraja: Gjendje mesjetare, ku shkojnë 22 milionë euro?

Sot i gjithë vendi është përfshire nga reshje dëbore të shumta, të cilat kanë vështirësuar dukshëm jetën e qytetareve.
Në fakt të vështirë apo të pamundur të shkojnë në shkolle e kanë pasur sot nxënësit. Ka ditë që prindër dhe fëmijë po ankohen për të ftohtë të papërballueshëm sepse institucionet arsimore nuk kane ngrohje. Situata është edhe më e rëndë në rrethe e sidomos ato ku temperaturat janë shume të ulëta.
Të ftuar sot në studiot e A2 Debat ishin Akil Kraja, anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i Partisë Demokratike dhe Drejtoresha për politikat lokale, arsimore dhe shëndetësore në Bashkinë e Tiranës, Elta Islami.
Sipas zonjës Islami, situata këtë vit në kryeqytet, edhe pse ka nevojë për përmirësime, është shumë më e mirë, “si nata me ditën” nga disa vite më parë. Autoritetet bashkiake sipas drejtoreshës kanë shpërndarë në gjithë territorin e Bashkisë mbi 400 soba me dru, dhe sipas saj ngrohja realizohet kudo në institucionet arsimore.
Edhe në shkollat me ngrohja qendrore, ekzistojnë kondicionerë, por sipas saj “rrjeti elektrik ka patur mbingarkese, prandaj kemi dërguar edhe në zonat urbane soba me pelet”.
Por anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës Akil Kraja mendon diametralisht ndryshe.
Sipas tij kryeqyteti përjeton një “gjendje mesjetare”, ku ende ndodhin kufizime në mësimdhënie për shkak të ftohtit, në një kohë ku Tirana ka një buxhet vjetor që vetëm për sistemin arsimor, sipas tij, “arrin rreth 22 milionë euro”. Sipas tij, buxheti relativisht i madh i kryeqytetit po përdoret për “kozmetikën e qytetit, jo për shëndetin e fëmijëve tonë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2