Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Siguria kibernetike mbledh ekspertët ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat digjitale

Nga A2 CNN
21 Maj 2022, 11:05 | Teknologji

Konferenca BSides Tirana, e cila po mbahet këtë të shtunë trajton sfidat rreth sigurisë kibernetike përmes një paneli ekspertësh vendas dhe të huaj. Aktiviteti synon të rrisë ndërgjegjësimin në Shqipëri rreth sigurisë së informacionit, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e rrjetëzimit të komunitetit të profesionistëve dhe të apasionuarve rreth sigurisë kibernetike.

Konferenca është ndërtuar për t’iu përgjigjur sfidave të reja rreth sigurisë së informacionit, duke ofruar qasje novatore dhe dije të replikueshme. Vetë natyra teknike e konferencës mundëson shkëmbimin dhe përditësimin e këtyre dijeve për komunitetin e profesionistëve të kësaj fushe në Shqipëri, përfshi këtu studentët dhe të interesuar të tjerë.

Dhjetë ekspertë në zë të sigurisë së informacionit, të specializuar në disiplina përkatëse, nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Austria, Danimarka, Polonia dhe Bullgaria, do të prezantojnë në Tiranë sfida dhe zgjidhje konkrete rreth fushës në fjalë. Prezantuesit kanë një përvojë të shquar në këtë sferë, mbajnë pozicione jetike në kompani dhe organizata të rëndësishme, dhe janë pjese e rrjeteve ndërkombëtare të ekspertëve.

Kuptimi, parandalimi dhe adresimi i sulmeve kibernetike janë pikat kryesore mbi të cilat zhvillohet “BSides Tirana”. Organizatori Rio Sherri shpjegoi se eksplorimi dhe analizimi i dobësive të platformave të teknologjisë së informacionit është baza e vërtetë për të fuqizuar komunitetin e profesionistëve rreth kësaj sfere, si dhe për të mbrojtur publikun përballë sulmeve kibernetike.

Krahas prezantimeve, aktiviteti do të ketë edhe elementë të tjerë, përfshi mbajtjen e një konkursi “Capture the Flag” (Kape Flamurin), ku konkurrentët përballen me sfida të ndryshme praktike, të cilat përkojnë me njohuri profesionale. Tre konkurrentët me më shume pikë do të kenë mundësi trajnimi për një vit në një platformë akademike të kësaj fushe (Hack the Box).

A2 CNN është partner mediatik i këtij eventi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani