Siguria ushqimore, Kikia: S’dimë se çfarë hamë! Kote: Ka raste që i kemi evidentuar

Siguria ushqimore është një nga aspektet e jetës sonë të përditshme që në fakt duhet të na shqetësojë më shumë.

Shpesh herë, kryesisht në sajë të investigimeve që bën media, shqiptarët ndërgjegjësohen se ushqimet, të cilat konsumojmë gjatë jetës sonë, mund të jenë një kërcënim i madh për këtë të fundit.

Kur sheh me zë dhe me figurë fermerë që prodhojnë ushqimet të cilat mbushin tryezën tonë të përditshme, të shprehen se këto perime nuk i konsumojnë në familjet e tyre, por na i servirin ne dhe e para gjë që të vjen në mendje është zgjidhja dhe ndëshkimi në një situatë të tillë. Dhe në fakt, duhet të jetë shteti ai që duhet të kujdeset për këtë marrëdhënie të ndërlikuar që ka konsumatori me prodhuesin, i cili në rastin tonë po abuzon me hormonet për të pasur prodhim në një kohë shumë të shkurtër dhe me një sasi shumë më të madhe.

Për të folur për sigurinë ushqimore ishin të ftuar në “A2 Debat” zëvendësministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Dhimo Kote dhe gazetari Mentor Kikia, i cili shpesh e ka sjellë në vëmendjen tonë këtë shqetësim.

Zëvendësministri i Bujqësisë u shpreh se Shqipëria eksporton sasi të mëdha fruta dhe perime dhe ky është një tregues i cilësisë, sipas tij. Megjithatë, Kote thotë se ka pasur raste të evidentuara.

“Shqetësimi është serioz. Ka raste që ne i kemi evidentuar dhe i kemi në qendër të vëmendjes sonë. AKU dhe autoritetet janë në terren. Kjo është një pjesë e tablosë. Ne ekspertojmë në vendet e BE në sasi të mëdha dhe ky është një tregues se frutat dhe perimet tona janë të sigurta. Kontrollet nuk bëhen nga ne, por nga vendet e BE.

Në anën tjetër, gazetaria Mentor Kikia, shteti duhet të futet në fazën e masave, pasi konsumatori nuk e di se çfarë po konsumon.

“Çështja e shqetësimit për atë se çfarë hamë është një shqetësim i përditshëm, por kur bie në kontakt me specialistë është normale të revoltohesh. Ne nuk synojmë të dëmtojmë prodhimin vendas me shkrimet tona, por të konsumojmë në mënyrë të sigurt. Kur ne blejmë ushqime, një pjesë ne nuk mund ta kontrollojmë. Ne nuk dimë se çfarë hamë. Si pasojë e manisë së fermerëve për të prodhuar më shumë, më shpejt dhe për të prodhuar produkte më të bukura për shkak të atij që quhet “sy” u tejkaluan edhe normat e hormoneve që përdoren në bujqësi, aq sa domatet italiane dhe greke janë më të shijshme dhe këtu nuk ka nevojë për analiza. Ne kemi humbur një aset shumë të rëndësishëm si produkti bujqësor. Abuzimi ekziston dhe ne duhet të futemi në fazën e masave”, tha Kikia.

Shkarkoni aplikacionin e A2