Sistemet elektorale, ekspertët: Ndryshimet e tepërta shkak për mungesë stabiliteti

Zgjedhjet e 25 prillit pritet që të vënë në provë një risi në sistemin proporcional rajonal, që lidhet me listat e Hapura. Në 30 vjet, sistemet zgjedhore kanë qenë në një tranzicion të vazhdueshëm.
Drejtori i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishi në një intervistë për A2CNN shpjegon se një demokraci e shëndoshë duhet në ketë në thelb një sistem zgjedhor të qëndrueshëm. “Vetë fakti që e kanë ndryshuar në çdo zgjedhje pothuajse, është një anomali”, thotë ai.
Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, shtoi se ndryshimet e tepërta nuk kanë lënë mundësi që të provohet nëse një sistem funksionon ose jo, pasi koha ka qenë tepër e shkurtër.
“Venecia ka rekomanduar që një sistem duhet të përdoret së paku në tre palë zgjedhje, për të parë nëse funskionon”, shton ai.
Nga viti 1991, Shqipëria ka eksperimentuar 8 sisteme elektorale. Fillimisht u aplikua një sistem mazhoritar me shumicë absolute, për të kaluar në 1992 në sistemin miks, 100 zona në mazhoritar dhe 40 mandate si proporcional kombëtar. Në 1996 sistemi mbeti përsëri miks, por ndryshuan balancat: 115 zona në mazhoritar dhe 25 mandate si proporcional kombëtar.
Në 1997 kuota e proporcionalit u rrit në 40 mandate, ndërsa ajo e mazhoritarit nuk ndryshoi. Në 2001 vazhdoi sistemi miks, mazhoritari u reduktua në 100 zona, ndërsa proporcionali mbeti me 40 mandate. Në 2005 u kalua nga sistemi me dy raunde në një të vetëm, ndërsa ndarja e kuotave mbeti e njëjtë. Në 2008 nisi të aplikohej sistemi që kemi edhe aktualisht, proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore për 140 mandate.
Kaq shumë ndryshime, pohojnë ekspertët, kanë ardhur si pasojë e tekave politike.
“Gjithmonë ndryshimet në sistemet zgjedhore janë iniciuar nga mazhorancat dhe janë bërë përpara zgjedhjeve të radhës, me idenë për të përfituar më shumë mandate falë benefiteve e të qenurit në mazhorancë”, shton Afrim Krasniqi.
Në këto zgjedhje, përveç preferencës ndaj kandidatëve, një tjetër risi është aplikimi i identifikimit biometrik në të gjithë vendin, si dhe testimi i votimit dhe numërimit elektronik në një zonë të Tiranës.