Situata në vend, dëbora zbardh shumicën e vendit, por pa probleme

Zonat veriore dhe juglindore te vendit dhe lartësitë mbi 300 metra janë mbuluar nga reshjet e dëborës gjatë natës dhe mëngjesit të kësaj të mërkure. Reshjet më të dendura kanë qenë në zonat rurale në veri të vendit, veçanërisht në qarqet e Kukësit dhe Dibrës, ku në disa zona trashësia ka shkuar nga 25 deri në 50 centimetra si në Valbonë, Qaf Shllak, Qaf Prushë etj.
Mjete borëpastruese kanë nisur punë që në orët e mbrëmjes së djeshme dhe situata problematike janë hasur kryesisht në qafa ku ka patur grumbullime bore për shkak të erës së fortë.
Nga raportimet rezulton se rrugët nacionale në veri janë të gjitha të kalueshme normalisht dhe po punohet për të mbajtur të hapura edhe rrugët rurale, ku nuk raportohen deri tani bllokime. E vetmja problematikë është mungesa e energjisë elektrike në disa fshatra për shkak të erës së fortë.
Ndërkohë edhe në qarkun e Korçës ka patur reshje bore, por pa krijuar problem. Akset nacionale edhe në këtë zonë janë të kalueshme normalisht, ndërsa rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në akset që lidhin zonat rurale.