Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Sizmologët për tragjedinë, ndërtimet pa cilësi, shteti të nxjerrë mësime

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2019, 19:19 | Aktualitet
Sizmologët për tragjedinë, ndërtimet pa cilësi, shteti

Kjo është harta e rrezikut sizmik në territorin e Shqipërisë. Edhe pse e hartuar 40 vjet më parë, vijon të jetë ende në fuqi. Sipas këtij dokumenti në 60% të territorit vendit, ndërtimet duhet të jenë të tilla që të përballojnë tërmete me intesitet 8 ballë dhe pjesa tjetër 7 ballë.

Por në disa zona si Durrësi, Vlora dhe Shkodra, ndërtimet duhet të jenë për goditje 9 ballë.

“Gjithçka që shikoni në këtë hartë, sipas këtyre konfiguracioneve duhen respektuar ballët në çdo zonë. Disa zona të përcaktuara qartë në Korçë, Durrës, Vlorë, Belsh, Pogradec, Shkodër janë zona që duhen llogaritur për 9 ballë për kushte të këqija trualli, kështu e përcakton kodi sizmik dhe kjo hartë. Ndërtimet që u shembën, sigurisht që kanë një problem. Dihet tashmë që jo të gjithë ndërtojnë me projekte të miratuara”, deklaroi sizmologu Llambro Duni.

Sizmologu Duni thotë se tërmeti shkatërrues nxori në pah problemet e mëdha me ndërtimet në vend. Por pas 26 nëntorit thotë ai, shteti duhet të nxjerrë mësime.

“Instancat e shtetit mendoj se duhet të rrisin kontrollin në të gjitha etapat e studimit, projektimit. E përsëris edhe njëherë për të qenë të sigurt nga tërmetet duhet të ndërtojmë mirë. Nuk ka asnjë alternativë. Sigurisht, të ndërtosh mirë dhe me standarde bashkëkohore ndoshta do të kushtojë pak më shumë, por kjo është alternativa që duhet të zgjedhim”, shton Duni.

Ekspertët rekomandojnë ndryshimin e ligjit për kodet e ndërtimit dhe hartimin e një harte të re sipas standardeve evropiane.

“Ne duhet t’i përshtatemi mjedisit sizmik të Shqipërisë për të ndërtuar në mënyrë të sigurt. Ne po shkojmë drejt procesit të Integrimit Evropian dhe duhet të aplikojmë ato standarde. Dhe një nga standardet në fushën e ndërtimit janë Eurokodet", u shpreh Duni.

Prej kohësh ekspertët kanë kërkuar që Instituti i Sizmologjisë të bëjë oponencën për çdo projekt që do të zbatohet në ndërtim. Nëse do të kishte kontroll nga institucionet përgjegjëse për ndërtimet në vend dhe veçanërisht në zonat më të rrezikuara, ndoshta sot do të ishte shmangur kjo katastrofë. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani