Skepticizmi holandez na rrezikon vizat? “Deklaratë për konsum të brendshëm”, “Jo, problemet janë reale”

Javën që kaloi tre parti në Holandë kanë kërkuar rikthimin e vizave për shqiptarët. Kësaj çështjeje i është dedikuar edhe një shkrim i gjatë në gazetën De Telegraf. Partitë holandeze kanë parashtruar një kërkesë për rikthimin e menjëhershëm të vizave për shqiptarët. Ky shkrim erdhi menjëherë pas vizitës në Shqipëri të ministrit holandez të drejtësisë.
A kanë të drejtë holandezët që shqetësohen për krimin shqiptar në Amsterdam? Perse Holanda është me skeptikja në drejtim të integrimit tonë në Bashkimin Evropian?
Për të diskutuar çështjet e mësipërme ishin në studion e A2 zv.ministri i Jashtëm Etjen Xhafaj, analisti Ilir Kalemaj dhe gazetari shqiptaro-holandez Vincent Triest.
Sipas Xhafajt, nuk ekziston një çështje holandeze, dhe bëhet fjalë për “tre deputetë që e kanë diskutuar në seancë plenare, por është diçka që ndodh rëndom”. Sipas tij, “artikulli i De Telegraf është botuar edhe në 2017 me të njëjtat baza”.
Sipas Xhafaj arsyet duhen parë në klimën e zgjedhjeve që përfshin Holandën, dhe se rikthimi i vizave për Shqipërinë është çështje që “nuk vendoset ne Parlamentin e Holandës, është vendim i gjithë BE-së”.
Sipas tij, gjithsesi, qëndrimi zyrtar i Vendeve të Ulëta, të deklaruara edhe në vizitën e Ministrit të Drejtësisë, kanë qenë pohimi i hapave përpara të vendit tonë.
Kësaj teze nuk i qëndrojnë dy të ftuarit e tjerë. Sipas Kalemajt, skepticizmi ndaj Shqipërisë nuk është diçka që ka të bej me situatën e brendshme e vendeve si Holanda, Franca dhe Gjermania, sepse “problemet janë reale dhe faktike”, dhe pason problematikat e evidentuara edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, “më seriozi për Shqipërinë si vend transit i drogës”.
Edhe sipas gazetarit Triest, deklaratat “nuk janë ato boshe në Parlament, por intervistë që deputetët kanë bërë në emër të partive të tyre. Nuk është fakti a do të heqë vizat apo jo, por skepticizmi i Holandës që i ka kërkuar Shqipërisë rezultate të qarta, si luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Ai shton se javën që vjen një tjetër eksponent i ekzekutivit holandez, zëvendës ministri i Drejtësisë, do të jetë në Tiranë për emigracionin ilegal. Sipas tij, nga momenti që dy zyrtarë të lartë vinë në Tiranë në pak ditë, “do të thotë që diçka nuk shkon”.