Sondazhi i PwC: Çfarë mendojnë 5 mijë drejtuesit e kompanive për ekonominë post-COVID? – A2 Business – 21/04/2021

2020 ishte një vit i vështirë për ekonominë globale dhe atë shqiptare si pjesë e saj, që u përball me krizën më të fortë të dy dekadave të fundit. Pandemia paralizoi biznesin në shumë sektorë dhe shkurtoi vendet e punës, vendosi në vështirësi buxhetin e shtetit dhe frenoi planet e investimeve publike dhe private. Ky vit që ka hyrë premton për mirë dhe të gjithë presin rimëkëmbje, veçanërisht biznesi, si agjenti kryesor ekonomik. Perceptimet e drejtuesve të kompanive për ekonominë post COVID dhe vizioni i tyre për t’u zhvilluar janë pasqyruar në sondazhin e Price Waterhouse Coopers. Një anketim shumë interesant i PwC, shoqëri “leader” në shërbimet e auditimit, si dhe konsulencave financiare, tatimore dhe ligjore. Gjetjet e këtij anketimi u diskutuan në “A2 Business”, ku u hodh dritë për mënyrën se si drejtuesit e kompanive mendojnë se do të zhvillohet ekonomia, ajo globale dhe shqiptare. Janë 5000 drejtues kompanish të pyetur në të gjithë botën, mendimet dhe vizioni i të cilëve është përfshirë në këtë sondazh të Price Waterhouse Coopers.