Speciale e A2/ Humbësit e mëdhenj të turizmit

Turizmi është padyshim sektori më i goditur nga pandemia e Covid-19, dhe as nisma si ajo për të pushuar në Shqipëri nuk do të kompensojnë dot humbjet. Në fakt pritet që kjo industri të kthehet në nivelin e 10 viteve më parë. Mungesa e turistëve të huaj vihet re edhe pa nevojën e statistikave, ku automjetet që përshkojnë Qafën e Llogorasë janë si rrallëherë të pakta në kulmin e sezonit dhe mbajnë vetëm targa shqiptare. Një humbje që bartet në të gjithë ekosistemin ekonomik të kësaj zone, që nga lokalet dhe restorantet, tek shitësit anës rrugës. Turizmi patriotik është një nga fjalët kyçe të këtij sezoni veror, ku ekonomia shqiptare do të mbështetet për të zbutur ndikimin e fortë të pandemisë globale. Nga 781 mijë të huaj që shkelën kufijtë shqiptarë gjatë gjysmës së parë të vitit, rreth 300 mijë janë vizitorë nga Kosova. Ndërsa pjesa tjetër plotësohet me shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia dhe shumë pak vizitorë të huaj. Himara është një nga qytetet më të frekuentuara të Jugut, kryesisht nga familjet. Teksa mbërrijmë plazhet duken në pamje të parë plot, por vendasit na tregojnë se situata është shumë më ndryshe nga një vit më parë. I kthyer në vitet e fundit në një qendër edhe për turistë nga e gjithë bota, sot flitet vetëm shqip.