Spektakël dritash për 130 vjetorin e kullës “Eiffel”

Monumenti ikonë i Parisit, kulla “Eiffel”, u ndriçua nga drita e lazera shumëngjyrësh të mërkurën, me rastin e 130-vjetorit të hapjes për publikun. Ngjitës profesionistë instaluan dritat për spektaklin që zgjati 12 minuta e që përvijoi historinë e kullës.

Me një lartësi prej 324 metrash, e famshme “Zonja e hekurt” u projektua nga inxhinieri parisien Gustave Eiffel dhe u ndërtua me rastin e Panairit Botëror të vitit 1889. U deshën 2 vjet, 2 muaj dhe 5 ditë për ndërtimin e monumentit simbol të kryeqytetit francez, me mobilizimin e rreth 450 punëtorëve.

I kritikuar fillimisht nga parisianët, sot kulla është një prej atraksioneve më të vizituara në botë. Rreth 7 milionë turistë ngjiten çdo vit në kullën “Eiffel”, përveç atyre që vijnë vetëm për të parë strukturën metalike. Në atë kohë ishte monumenti më I lartë në botë, dhe falë rregullave strikte urbanistike, vazhdon të dominojë peizazhin e Parisit.