Spiropali: Deputetët e opozitës po pendohen për mandatet, protestat po zvogëlohen

Për të folur për javën politike që po fillon, dhe do të kulmojë me protestën e opozitës në Tiranë.
Në studiot e A2 ishte e ftuar Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Spiropali minimizon impaktin e 16 marsit, duke u bazuar të fakti, sipas saj, që “ është absolutisht e dukshme që protesta nuk është spontane”. Një proteste spontane si ajo e studentëve, për Spiropalin “ nuk priste dy javë ose një muaj” për t’ u organizuar. Ajo i cilëson manifestuesit e javëve të fundit si “pjesë e kastave që janë larguar”.
Ajo vëren edhe që “protestat po behën gjithmonë e më të vogla, njerëzit janë të mençur dhe e kuptojnë situatën, nuk duan të dëmtojnë përditshmërinë dhe të ardhmen e tyre për hir të kryetarëve”.
Ministrja mendon që vendimi “ i paprecedent” i opozitës nuk po merr rezultatet e shpresuara, jo vetëm prej reagimit të ndërkombëtarëve, por edhe sepse sipas saj ish deputetët “janë penduar për vendimin, sepse tashmë po zëvendësohen me përfaqësuesit e tyre”. Sipas saj ata nuk mund të bënin ndryshe, “nën presionin e “ Sali Berishës, që thërret në oborr simpatizantët për të shtyrë deputetët të lejnë mandatet”
E pyetur nëse një hap i mazhorancës për zgjedhje të parakohshme do ta zgjidhte ngërçin, ajo u përgjigj që edhe pse PS do të fitonte sërish, ai vendim “do ta ndërlikonte situatën, do të ishte shembull negativ për çdo opozitë në Ballkan”.
Spiropali ka mohuar edhe çdo implikim të vëllait në akuzat e lëshuara nga opozita për afere korruptive, duke nënvizuar që “Ka vetëm një deklaratë qesharake që unë kam çuar në gjyq, vëllai im nuk ka marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN