Sportistët nuk do të tatohen dy vite, miratohet kërkesa edhe pse e reduktuar

Sportistët në Shqipëri nuk do të tatohen për një periudhe dy vjeçare. Më në fund ka ardhur edhe miratimi i kërkesës së federatave edhe pse në mënyrë të reduktuar, pas miratimit të projektligjit që ka të bëjë me reformën në sport duke luftuar informalitetin.
Në fakt, në kërkesën e tyre, federatat kishin kërkuar që përjashtimi i sportistëve nga tatimet të ishte në një afat 5 vjeçar.
Komisioni për edukim dhe mjetet e informimit publik në seancën e radhës online shqyrtoi projektligjin për një shtesë në ligjin nr. 84 38 për tatimin mbi të ardhurat e ndryshuara ndërsa vendosi të mos pranonte të plotë kërkesën e federatave për 5 vjet.
Ky ndryshim ka të bëjë me shpërblimet e sportistëve të çdo lloji të cilët kanë kontrata të rregullta me klubet sportive dhe njihen nga federatat përkatëse sportive për periudhën dy vjeçare 2021-2022. Gjithsesi në këtë kohë pandemie dhe situate të vështirë, fakti që futbollistëve nuk do t’u mbahen tatime për dy vite pra 2021 dhe 2022 është shumë i rëndësishëm. Kjo iu jep mundësi edhe klubeve të futbollit të deklarojnë të plotë rrogat e tyre.