Stomatologia: Pacientët mendojnë se rifilluam shërbimin e plotë, por nuk na lejohet të përdorim as turbinën

Një nga kategoritë më të rrezikuara në rihapjen graduale të aktiviteteve pas valës së parë të koronavirusit, është padyshim ajo e stomatologëve.
Sot kjo kategori mund të rifillojë aktivitetin, por duke ndjekur një protokoll që kufizon një pjesë të mirë të aktivitetit të tyre. Këtë e pohon për A2 edhe stomatologia ortodonte Edlira Baruti.
“Ne jemi në hapje të kontrolluar, pra protokolli i ri na detyron të shërbejmë vetëm urgjencat, dhe të mos përdorim shiringat ajër-ujë dhe turbinën. Nuk kemi as mbrojtje të plotë, sepse duke mos përdorur turbinën mungon edhe aerosoli”, thotë Baruti.
Kjo për stomatologen krijon shumë konfuzion tek pacientët, që vijnë me pritshmërinë e shërbimit të plotë, dhe si pasojë nuk mungojnë pakënaqësitë. Baruti thotë se kategoria e saj end epo pret udhëzime të detajuara mi protokollin.
Tema e kostove të shtuara është një kapitull i veçantë, ku ajo denoncon një “linçim” në faqet e rrjeteve sociale ndaj kategorisë, e akuzuar për rritje çmimesh. Por sipas saj, “ka një problem real me çmimet”. Dhe bën një shembull. “Termometrat digjital që duhet të blejmë për të matur temperaturën kushtonin 1200 lekë në mars, sot nuk gjenden ose kur gjenden kushtojnë 9800 lekë”, duke shtuar se deri më tani shërbimi i emergjencave nuk e ka vënë në pah një rritje të tillë.