Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Sulme dhe mercenarë çeçenë”, mediat serbe, fushatë për të nxitur tensione në Kosovë

Nga A2 CNN
22 Gusht 2022, 15:35 | Ballkani
“Sulme dhe mercenarë çeçenë”, mediat serbe,

Mediat serbe kanë nisur një fushatë për të nxitur tensione në Kosovë. Duke cituar presidentin, Aleksandër Vuçiç, gazeta të ndryshme si Informer, Srpski Telegraf dhe Alo, raportojnë se mercenarë të huaj anti-Putin janë angazhuar për të vrarë serbët e Kosovës. Faqja e parë e tyre është hapur me këtë titull kryesor: “Prishtina solli çeçenë dhe çerkezë për të vrarë serbët e Kosovës”.

Madje shkruajnë dhe me emra konkretë duke përmendur lidhje të mercenarëve me Ahmed Halidoviç Zakaev dhe Jambulat Suleimanov, të cilët jetojnë në ekzil pas luftës Çeçene. “Në fillim të gushtit, një grup i lidhur me kundërshtarët e Ramzan Kadyrov vizitoi veriun e Kosovës me dy qëllime: angazhimin dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në konfliktin ruso-ukrainas dhe eliminimin e serbëve të armatosur”, shkruan gazeta Alo.

Ndërsa Kurir, thekson se “më 3 gusht, mercenarët janë takuar në Zubin Potok me një shtetas turk dhe në veri po kontrollojnë gatishmërinë e serbëve për t'u përballur me autoritetet në Prishtinë”. Por lajme të tilla janë sinjalizuar nga rrjeti social Twitter si të pavërteta. Gazeta Alo publikoi edhe një artikull tjetër për zhvillimet e fundit. Kjo media e konsideroi krejtësisht të rreme raportimin e Radios publike zvicerane SRF1 për fjalimin e presidentit Vuçiç.

“Nëse NATO nuk i mbron serbët, Vuçiç thotë se serbët do ta sulmojnë vetë Kosovën”, është lajmi i medias publike zviceriane, të cilin gazeta Alo e korrigjon duke shkruar se presidenti ka thënë vetëm që “do t’i mbrojë serbët nga sulmet nëse NATO nuk i mbron”. Ndër të tjera, mediat serbe në raportimet e tyre të fjalimit të paralajmëruar si tepër të rëndësishëm të presidentit, shkruajnë se Vuçiç premtoi se nuk do ketë eksod masiv të serbëve të Kosovës.

A2 CNN Livestream

Dita jonë