Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

"Superpastruesja" dhe 400 mijë eurot pa zot, zbardhen dëshmitë, mbetën në qeli nënë e bir

Nga A2 CNN
9 Janar 2023, 16:27 | Kronikë
"Superpastruesja" dhe 400 mijë eurot pa zot, zbardhen

Personat në pamje janë Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir, të akuzuar për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesën e një ish-zyrtareje të lartë të Ministrisë së Financave në Tiranë. 49-vjeçarja që ishte pastruese në shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosi, u përlot ballë kamerave televizive, pak para nisjes së seancës.

Me kërkesë të prokurorisë, gjykata e Tiranës caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “vjedhjes me pasoja të rënda”. Të dyshuarit qepën gojën para gjykatës, duke mos dhënë asnjë deklarim, ndërsa avokati kërkoi një masë më të butë sigurie.

Nga ana tjetër, saktësimi i shumës së vjedhur në banesën e ish-zyrtares është bërë objekt debati në seancë. Kjo për faktin se vetë Klosi në denoncimin e saj ka pretenduar vjedhjen e gati 120 mijë eurove dhe bizhuve të çmuara, ndërsa në banesën e familjes Dobi në një kontroll të dytë, u gjetën veç tyre edhe gati 400 mijë euro të tjera, të zotin e të cilave duhet ta zbardhë hetimi.

Referuar dosjes së prokurorisë, një kopje e së cilës, është siguruar nga A2 CNN, Klosi e ka denoncuar vjedhjen më 15 dhjetor. Para oficerëve të Policisë, ajo ka pohuar se 120 mijë eurot i kishte para të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait, që jetonin në Amerikë e se do t’i përdorte për problemet e tij shëndetësore.

Vjedhja e 120 mijë euro në banesën e “padrones” që i shërbente prej 5 vitesh është pranuar në polici nga Rozeta Dobi. Ajo ka treguar se i ka kërkuar të birit ta shoqëronte me makinë te banesa e Klosit, ku ka gjetur një kasafortë me shuma parash në të.

“Në momentin që i ka parë këto shuma parash, nga urrejtja që kishte ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj”, citohej dëshmia e saj në dosje.

I njëjti version është mbështetur edhe nga i biri, i cili ka thënë se e ëma është kthyer në automjet me një çantë shpine.

“Në momentin që kanë arritur te lagjja ka vënë re se mamaja e tij ka nxjerrë nga çanta një kasafortë dhe e ka hedhur te koshat e plehrave”, ka rrëfyer i riu, që disa ditë më vonë ka mësuar edhe për shumat e vjedhura të parave.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli