Tabaku: Bizneset e vogla drejt falimentimit, Tirana po deformohet nga paratë e krimit

Jorida Tabaku doli sot në deklaratë për shtyp, duke akuzuar Bashkinë e Tiranës për rritjen e ndjeshme të taksave, dhe tkurrjen e investimeve.
E ftuar në A2 CNN, ajo zgjeron konceptin duke sqaruar se “në paketën fiskale të miratuar në dhjetorin e 2015 biznesi në Tiranë dyfishoi ose trefishoi taksat për një bizneset e vogla. Të gjitha taksat janë shtuar, nga taksa e pastrimit e dyfishuar, deri në taksen e pronës që është pothuajse katërfishuar”.
E gjitha për një barrë fiskale të përllogaritur nga Partia Demokratike në 382 milionë euro shtesë në 4 vitet kumulative. Një situatë që po “vret” shumicën e bizneseve të vogla, me rritje rekord të mbylljeve të këtyre aktiviteteve.
Gjendja ekonomike shton akoma më shumë vështirësitë sociale, në një qytet “ të deformuar nga paratë e krimit”, ku përfshihen edhe konfliktet me banorët e Bregut të Lumit me forcat e rendit. “Një akt terrorist”, është deklarata e fortë e Tabakut, që shton se “ka patur një fond për këto familje”, dhe se Bashkia tregohet arrogante “sepse janë pak, të varfër dhe të pambrojtur”.
Ndërkohë, ajo cilëson si “të paprecedent” mocionin e Parlamentit Holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë, dhe nuk mendon që është problem i brendshëm i atij vendi, por vendim i mazhorancës së parlamentit, 108 vota, për të cilin autoritetet holandeze “kishin paralajmëruar disa herë Shqipërinë”, dhe që si faktor kryesor ka krimin e organizuar dhe mbështetjen që këto grupe kanë në Shqipëri nga ekzekutivi.