“Tahiri” në Apel, s’ka vendim përfundimtar, shtyhet për në 26 qershor

Mbërriti i buzëqeshur në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku pritej të shpallej vendimi përfundimtar për të. Në hyrje, ish-ministri që humbi ekuilibrin në përballjen e tij me drejtësinë në Shkallën e Parë, komentoi me një kameraman, që u pengua teksa e filmonte. “Kështu e hanë të gjithë këtu…”, komentoi ish-ministri.
Gjykata e Posaçme e Apelit shtyu për të premten shpalljen e verdiktit final ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-vartësit të tij, Jaeld Çela. Shkak u bë ndryshimi i përbërjes së trupit gjykues, pas shkarkimit nga vetingu gjatë javës së kaluar të anëtares Nure Dreni.
Ajo u zëvendësua në treshe me gjyqtarin Dhimitër Lara, i cili kërkoi më shumë kohë për tu njohur me dosjen. Në Apelin e Posaçëm, Tahiri kërkon rrëzimin e çdo akuze të ngritur ndaj tij dhe deklarim të pafajshëm.
Ndërsa prokurorët e SPAK mbajnë qëndrimin e shfaqur në Shkallën e Parë, dënimin e Tahirit dhe Jaeld Çelës për “trafik droge” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në Shkallën e Parë ish-ministri u dënua me 3 vjet e 4muaj burg për “shpërdorim të detyrës”, por dënimi u zëvendësua me lënien e tij në “shërbim prove” për një periudhë 3 vjeçare.