Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Taksa e pronës, në dhjetor nis faturimi për banorët e Tiranës

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2019, 16:57 | Ekonomi
Taksa e pronës, në dhjetor nis faturimi për banorët e

Në dhjetor mos mendoni vetëm për dhuratat e festave. Në muajin e fundit të vitit, banorëve të Tiranës, iu shtohet një taksë e re. Tarifa e pronës do të aplikohet në faturën e ujit, ashtu si taksa e arsimit dhe e pastrimit krahas vlerës për ujin që konsumohet.

“Duke filluar nga muaji dhjetor, fatura e re do të dalë me taksën e pronës sipas përllogaritjes së re. Nuk do të jetë një çmim fiks prej 100 lekësh që kanë patur qytetarët deri tani, por në bazë të vlerës së pronës. Kjo vlerë do të caktohet mbi sipërfaqen e pronës, vlerën e saj dhe shkallën në përqindje që është përcaktuar nga qeveria për konsumatorët familjarë”, u shpreh Evis Gjebrea.

Nëndrejtoresha e Ujësjellës-Kanalizimeve tregon se vetëm 70 mijë persona kanë kryer procesin e vetëdeklarimit të pronës. Për të tjerët taksa do të llogaritet sipas çmimit të referencës e ndarë sipas zonave në Tiranë.

“Nëse një qytetar është vetëdeklaruar ai do të taksohet në bazën e vlerës së pronës në dokumentet të cilat ka dorëzuar. Në rast se qytetari nuk është vetëdeklaruar dhe për të cilin UKT nuk ka informacion, përllogaritja do të bëhet mbi bazën e sipërfaqes së prezumuar, që do të thotë 70 m2 për godinat e ndërtuara para vitit 1993 dhe 100 m2 për godinat e ndërtuara pas vitit 1993”, shpjegoi Gjebrea.

Taksa vjetore do të jetë 0.05% e vlerës së banesës edhe do të paguhet e ndarë në 12 muaj. Nga kjo tarifë përjashtohen pensionistët, personat me ndihmë ekonomike, banesat sociale, ndërtesat e komuniteteve fetare si dhe pronat e shtetit dhe njësive vendore. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë