Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Të braktisësh fronin për dashurinë

Nga A2 CNN
29 Tetor 2021, 08:58 | Lifestyle
Të braktisësh fronin për dashurinë

Sa shumë mund të sakrifikojë njeriu për dashurinë? Princesha Mako e Japonisë, mbesa 29-vjeçare e Perandorit Naruhito, hoqi dorë nga froni, trashëgimia dhe nga të gjitha privilegjet e tjera që gëzonte, vetëm për dashurinë. Sipas ligjit japonez, vajzat dhe gratë e familjes perandorake humbasin titullin e tyre pas martesës me një person të konsideruar si të zakonshëm.

Princesha Mako u martua me të fejuarin e saj, avokatin Kei Komuro, duke humbur kështu statusin mbretëror. Ajo gjithashtu anashkaloi ritet e zakonshme të një martese perandorake dhe hodhi poshtë një pagesë të majme që u ofrohej vajzave mbretërore pas largimit të tyre nga familja, duke u bërë anëtarja e parë e familjes që i refuzon të dyja. Pas martesës, çifti pritet të shpërngulet në SHBA, ku Komuro punon si avokat.

Fejesa katërvjeçare mes princeshës Mako dhe Komuro u shënua me skandale dhe polemika, të cilat nisën pasi një tabloid raportoi se Komuro dhe e ëma e tij, ishin përfshirë në një skandal parash. Për shkak të ngjashmërive, historia e tyre është krahasuar vazhdimisht me atë të Meghan Markle dhe Princit Harry. Ashtu si Meghan, edhe Komuro është fotografuar dhe vëzhguar me kujdes që kur lajmi për lidhjen e tyre u bë publik. Mediat japoneze raportuan se Princesha Mako kishte pësuar çrregullim të stresit post-traumatik nga komentet e mediave dhe njerëzve për marrëdhënien e tyre.

Në një konferencë për shtyp, ajo kërkoi falje për çdo telash që u solli njerëzve nga martesa e saj.

“Më vjen shumë keq për shqetësimin e shkaktuar dhe jam mirënjohëse ndaj atyre që kanë vazhduar të më mbështesin. Për mua, Kei është i pazëvendësueshëm. Martesa ishte një zgjedhje e nevojshme për ne.”

Mako s’është princesha e parë japoneze që zgjedh dashurinë para statusit mbretëror. Princesha Noriko dhe Ayako bënë të njëjtën gjë më herët.

Dashuria e monarkëve, ka bashkëjetuar herë pas herë me skandale të ngjashme. Mbreti i Malajzisë, Muhamedi i Pestë, zgjodhi një modele përpara fronit. Në vitin 2019 ,ai abdikoi, për herë të parë në historinë e një vendi aziatik, duke braktisur kurorën për t’u arratisur me dashurinë e tij të re, Oksana Voevodina, 25 vjeç. Historia e tyre zgjati vetëm një vit.

Princ Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle u tërhoqën nga familja mbretërore britanike në vitin 2020. Më pas, në një intervistë, që pushtoi mediat dhe rrjetet sociale, me një audiencë historike, Harry dhe Meghan rrëfyen skandalet që i detyruan të merrnin atë vendim.

Princi i Holandës, i ndjeri Johan Friso, gjithashtu kishte abdikuar për shkak të dashurisë me Mabel Wisse-Smith, e cila nuk ishte mbretërore dhe ishte gjithashtu e përfshirë në disa skandale të mëdha që përfshinin kreun e një prej karteleve më të mëdhenj të drogës në vend.

Ndonjëherë, këto vendime kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. I tillë ishte ai i Eduardin VIII që braktisi fronin britanik në mënyrë që të martohej me dashurinë e jetës së tij, Wallis Simpson, e divorcuar dy herë në jetën e saj. Kjo ishte një histori dashurie që jo vetëm tronditi botën dhe çoi në ndarjen e dy vëllezërve dhe një dëbimi përjetë nga vendi, por ndryshoi të gjithë linjën e trashëgimisë britanike, duke i bërë ata një prej çifteve mbretërore më të diskuatuar në të gjitha kohërat.

A2 CNN Livestream

Dita jonë