Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Teatri Kombëtar, ishte apo nuk ishte monument kulture?

Nga A2 CNN
19 Maj 2020, 19:19 | Aktualitet
Teatri Kombëtar, ishte apo nuk ishte monument kulture?

Teatri Kombëtar nuk është më. Në dy dekada, godina historike në zemër të Tiranës ka kaluar në një sagë hedhje-pritjesh mes institucioneve dhe politikës, ndërsa degradimi i saj nuk u ndal.

Dokumentet herë e shfaqin e herë e zhdukin statusin e tij si monument kulture dhe pjesë e zonës së mbrojtur. 3 prillin e vitit 2000, qeveria e socialistëve merr vendimin për të shpallur “Ansambël Monument Kulture” aksin kryesor dhe qendrën historike të kryeqytetit. Dhe në listën bashkangjitur, kompleksi i Teatrit Kombëtar është shënuar me nr. 32 si objekt i mbrojtur brenda kësaj qendre historike.

Tre vite më pas, me ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore, bëhet e detyrueshme shpallja e monumenteve të kulturës me vendim të posaçëm për secilin objekt. Lista e 2004-s e Institutit të Monumenteve të Kulturës, edhe pse ia ruante statusin godinës, e konsideronte atë një objekt pa vlerë. Por, në një urdhër të 2007-s, firmosur nga Bujar Leskaj, ministër i Kulturës në qeverinë Berisha, teatri nuk përmendet me emër në listën e monumenteve, edhe pse figuron kompleksi ndërtimor në rrugën “Murat Toptani”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e përdor si argument për sulm ndaj kundërshtarëve politikë.

I kontakuar nga A2, ish-ministri Leskaj thotë se teatri ndodhet në listën e monumenteve të mbrojtura brenda qendrës së Tiranës. Edhe shefi i tij i kohës, Sali Berisha, hedh poshtë pretendimet e bashkisë.

Statusin e teatrit e konfirmon për A2 edhe drejtuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, në vitin kur u firmos shkresa: “Nëse një dhomë quhet monument kulture, edhe televizori brenda dhomës quhet monument kulture. Teatri përmendet edhe me emër, edhe me numër si monument kulture”.

Diskutimi për statusin e godinës rikthehet sërish në 2015-n. Instituti i Monumenteve të Kulturës e shpall në mbrojtje paraprake brenda Qendrës Historike kompleksin e Teatrit Kombëtar. Por, 2 vite më pas qeveria vendos ndryshimin e kufijve të qendrës historike. Territori zvogëlohet dhe dalin jashtë kufijve disa objekte, përfshirë edhe kompleksin e Teatrit Kombëtar. Vendimet që pasuan nuk e ndryshuan situatën për Teatrin Kombëtar. Debatet në Parlament, protesta më shumë se 2-vjeçare dhe një qëndrim i Komisionit Europian, detyruan mazhorancën në qeveri dhe bashki të tërhiqeshin nga ligji special, por nuk shmangën shembjen e tij në të gdhirë të 17 majit. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë