Teatri Kombëtar, Kushtetuesja pranon për gjykim kërkesën e Metës

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë për të marrë në shqyrtim kërkesën e Presidentit Meta për shfuqizimin e ligjit që i hap rrugën projektit të Teatrit të ri Kombëtar, duke e kaluar çështjen në seancë plenare.

Për këtë, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar me shkresë 5 institucioneve, duke kërkuar që deri më datë 22 janar 2020 të dërgojnë argumentet e tyre mbi këtë çështje.

Shkresat u janë dërguar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, ku theksohet se argumentet e këtyre institucioneve çmohen si të domosdoshme për zhvillimin korrekt të gjykimit.

Vendimi për të kaluar çështjen në seancë plenare me dyer të hapura është marrë nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese më datë 24 dhjetor 2019, ndërkohë që në bazë të Ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, për ta gjykuar çështjen në seancë nevojitet një kuorum prej 6 anëtarësh.

Aktualisht Gjykata Kushtuese përbëhet nga 4 gjyqtarë, pas largimit prej vettingut të Besnik Muçit, gjë që ja pamundëson nisjen e gjykimit të çështjes.