Teknologjia në zgjedhje, ekspertët e ODIHR këshillojnë adoptim gradual

Teknologjia në zgjedhje përdoret në rreth 50 shtete anëtare të OSBE. Por megjithatë sipas raportit të ekspertëve të ODIHR mbërritur pranë grupit të punës për reformën zgjedhore, ajo mund të paraqesë dhe probleme.
Në raport sqarohen anët pozitive dhe negative të aplikimit në zgjedhje të votimit elektronik dhe identifikimit biometrik të zgjedhësve.
5 shtete siç janë Irlanda, Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe vetë Shqipëria në 2013, u tërhoqën nga teknologjia edhe pas miratimit të saj.
“Është e vërtetë që kriteret e propozuara për votimin elektronik dhe identifikimin biometrik të zgjedhësve mund t’í bëjnë të vështira sjelljet mashtruese. Disa prej tyre mund ta forcojnë integritetin e procesit zgjedhor. Megjithatë teknologjia nuk është një ilaç gjithëshërues në këto aspekte. Metoda të reja mashtrimi do të shfaqen dhe ato duhet të trajtohen jo vetëm nëpërmjet teknologjisë por dhe procedurave të kujdesshme, trajnimit të administratës zgjedhore, masave ligjore më të rrepta. Por, mbi të gjitha, për të shmangur vjedhjen e zgjedhjeve, duhet vullnet politik nga partitë, zgjedhësit dhe të gjithë aktorët e tjerë”, thuhet në raport.
Ekspertët për çështjet ligjore dhe zgjedhore të ODIHR, sugjerojnë që teknologjia të pilotohet në më pak se 20% të qendrave të votimit, për ta zgjeruar më pas në mënyrë graduale përdorimin e saj. Kjo për të shmangur rrezikun që një dështim të mundshëm të teknologjisë ditën e zgjedhjeve, që mund të pamundësojë vetë procesin zgjedhor.
“20% e votuesve është një masë arbitrare. Qëllimi i një projekti pilot është të tregojë fleksibilitetin e teknologjisë dhe krijojë besimin e publikut për të përdorur teknologjinë. Do ishte e mjaftueshme dhe shumë më praktike që të përdorej në një përqindje shumë më të vogël të qendrave të votimit. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre ndryshimeve dhe peshën e një implementimi të suksesshëm të tyre, duhet të merret në konsideratë adoptimi i këtyre teknologjive në mënyrë sekuenciale, në cikle të ndryshme zgjedhjesh, dhe jo të gjitha menjëherë”, vijon raporti.
Ekspertët e ODIHR sugjerojnë që t’i lihet në dorë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kompetenca për të vendosur sa, ku dhe kur të fusë në përdorim teknologjinë, duke evituar kështu ndërhyrjet e shpeshta në Kodin Zgjedhor.