Tenderat në Ministrinë e Gjyqësisë, verifikime edhe për dy ish-ministra të LSI

Abuzimi me tenderat ka çuar në pranga 4 ish zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë . Prokuroria e Tiranës ka rihapur çështjen e bujshme për mbikëqyrjen elektronike dhe po kryhen verifikime edhe ndaj dy ish ministrave të LSI-së.
Katër fletë arresti u ekzekutuan nga policia ndërsa për 8 ish zyrtarë të tjerë gjykata dha detyrim paraqitje. Prokuroria zbuloi abuzimet në tendera ndërsa veç 12 zyrtarëve që janë nën hetim dhe për të cilët është dhënë masë sigurie, ka nisur verifikimi dhe për 14 ish zyrtare të tjerë të cilët pritet të merren në pyetje.
Akuza është ajo e shpërdorimit të detyrës dhe shkelja e barazisë në tendera ndërsa vetëm mbikëqyrja elektronike e të dënuarve i kushtoi ministrisë së Drejtësisë 2 milionë euro.
Deklarime pritet të japin dhe Ylli Manjani i cili u emërua në postin e Ministrit të Drejtësisë në vitin 2015 për t’u zëvendësuar në 2017 nga Petrit Vasili.
Nga dosja hetimore del se fillimisht shkeljet u zbuluan nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë e më pas dhe nga grupi i Ministrisë së Financave. Hetimet e task forcës së prokurorisë nxorën shumat me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit ndërsa asnjëri prej sistemeve të tenderuara nuk është funksional.

Shkarkoni aplikacionin e A2