Tërmeti në Krujë, Bashkia: Shumë të pastrehë, nis vlerësimi i banesave

Shtëpia është objekti që më së shumti këta fëmijë vizatojnë. Dhe një të tillë që prej 26 nëntorit nuk e kanë. Ata së bashku me prindërit janë strehuar në një prej palestrave të shkollave në Krujë, pasi banesa e tyre u shpall e pabanueshme. Por nuk janë të vetmit. Sipas bashkisë Krujë situata mund të behet e papërballueshme gjatë dhjetorit.
“Druhem se kërkesat për strehim do të jenë shumë më të larta se mundësitë tona”, thotë sekretari i përgjithshëm i Bashkisë Krujë, Florind Cerhozi.
Kudo nëpër rrugët e Krujës qytetarët na ftojnë të filmojmë banesat e tyre. Të paqartë nëse mund t’i besojnë mureve të shtëpisë pa pasur më parë miratimin e ekspertëve ata me ankth ndjekin inspektimin e grupeve të vlerësimit.
Inxhinierët grekë dhe zviceranët i janë bashkuar inspektoratit të ndërtimit në Krujë. Diku në greqisht, diku në anglisht banorët tentojnë t’u sqarojnë pasiguritë.
Ky kryq jeshil, tregon se ndërtesa është e sigurt, ai portokalli ndalon banorët të futen në të deri sa të mbarojë aktiviteti sizmik, ndërsa nëse shënjohet me kryq të kuq, godina është e pabanueshme.
Një këngëtar kosovar po financon qëndrimin e këtyre banorëve në një hotel në Krujë, ndërsa ndërtuesi i pallatit të tyre, i shpallur i pabanueshëm thonë se i ka injoruar totalisht, por financon për Thumanën.