Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Tetori rozë, thirrje për diagnostikim të hershëm, 1 në 8 gra me kancer gjiri

Nga A2 CNN
1 Tetor 2021, 16:33 | Aktualitet
Tetori rozë, thirrje për diagnostikim të hershëm, 1 në

Jepini vetes vetëm 30 minuta kohë për shëndetin tuaj.  Sot 1 në 8 gra diagnostikohet me kancer të gjirit.  Kapja e hershme e kësaj sëmundje të shpëton nga vdekja. Mesazhi vjen nga gra që janë përballuar me sëmundjen e rëndë. 

“E lashë pas dore. Ka qenë dashuria dhe vëmendja e familjarëve dhe e miqve të mi më të ngushtë. Ka qenë lufta frontale e ekipit të specializuar të mjekëve të spitalit onkologjik në Tiranë, të cilët morën masa të menjëhershme, jo vetëm për të më diagnostikuar, por edhe për ta luftuar kancerin e gjirit, që ishte shfaqur në trupin tim. Mos nguroni”.

“Ishte beteja më e vështirë e jetës time. Eksperiencë e cila më kërkoi forcë dhe kurajë për ta përballuar. E gjeta forcën dhe kurajën përmes suportit të familjes time dhe përkushtimit të mjekëve”, “Sot i them çdo gruaje, mos neglizho! Lufto për jetën! Ajo është e shtrenjtë”.

Tetori është muaji rozë, kundër kancerit të gjirit. Ministria e Shëndetësisë ka çelur fushatën dedikuar luftës ndaj kësaj sëmundje.

Ministrja Ogerta Manastirliu, përmes një mesazhi drejtuar grave dhe vajzave bën thirrje për kryerjen e kontrolleve periodike.

“Ne gratë duke u kujdesur për familje, duke përmbushur detyrimet në punë, edhe me angazhimet e tjera familjare e shoqërore shpesh herë harrojmë një gjë shumë të rëndësishme; kujdesin për shëndetin tonë. Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, për familjen, për prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në radhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos tek gratë”.

Kontrollet falas të gjirit ofrohen nga çdo spital rajonal i vendit.

“Programi ynë i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas. Vetëm duke patur shëndet të mirë, duke u kujdesur për veten ne gratë mund të shpalosim potencialin tonë të plotë, në përmbushje të misionit tonë për mirërritjen e fëmijëve, për kujdesin ndaj familjes dhe për zhvillimin e shoqërisë. Unë besoj te forca e shembullit”, tha Manastirliu.

Pandemia e koronavirusit ka rritur sëmundshmërine e grave me kancer gjiri dhe rastet e rënda për shkak të vonesës së ekzaminimeve. Mjekët rekomandojnë kontrolle periodike të paktën çdo 2 vjet. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë