Thaçi: Kërkova vazhdimin e dialogut, SHBA tha “jo” – A2

Thaçi: Kërkova vazhdimin e dialogut, SHBA tha “jo”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u kthye me porosi të qarta nga udhëtimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një konferencë për shtyp tregoi se kishte kërkuar që dialogu me Serbinë të rifillonte pa pezullimin e taksës 100% kundër mallrave serbe, por Uashingtoni e refuzon kategorikisht këtë.
“Vendimet e Kuvendit të Kosovës duhet të respektohen nga të gjithë. Është e padrejtë nga ana e Serbisë që kushtëzojë dialogun. Unë kam kërkuar në Uashington vazhdimi i dialogut pa pezullimin e taksës, por përgjigja ka qenë jo”, theksoi presidenti Thaçi.
Presidenti nënvizoi se vendimi për pezullimin e taksës i takon qeverisë, duke shtuar se në shikim të parë duket që Serbia po dëmtohet në ekonomi, por sipas tij marrëdhëniet me SHBA-të nuk paguhen me asnjë çmim.
Ai më tej u shpreh kundër propozimit të kryeministrit, Ramush Haradinaj për organizimin e një Konference Ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes së pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Thaçit, një zhvillim i tillë do të sillte Rusinë në tryezën e negociatave dhe për pasojë Kosova mund të shndërrohej në një Republikë Serbe. Në fund ai ripërsëriti se duhet të përcaktohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë që të ndodhë njohja ndërkombëtare.