Deklaratat e kryetarit të PD Lulzim Basha për puç brenda mureve të Selisë Blu morën përgjigjen e anëtarit të kryesisë Gent Strazimirit, i cili është mes mbështetësve të foltores së Sali Berishës.
Ai ishte pjesë e një grupi demokratësh që mbështet Berishën, të cilët ftuan këdo dëshiron të verifikojë firmat e mbledhura, t’i drejtohet zyrës së kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Ndërsa Lulzim Bashës i kishin gjetur një titull të ri.
Basha nxori përsëri sekretarin e Përgjithshëm që ftoi këdo disponon formularët e firmosur nga ¼ e delegatëve t’i dorëzojnë në zyrën e protokollit dhe garantoi se vullneti i tyre do të respektohet.
Mbështetësve të foltores u shpjegoi rregulloren e mbledhjes së Kuvendit të miratuar në 2010 kur kryetar ishte Sali Berisha.
I pyetur nga gazetarët, tregoi kush ishte mbështetësi i Sali Berishës që në 25 prill bënte fushatë për Partinë Socialiste ndërsa thelloi akuzat për njerëzit e foltores duke folur për bashkëpunim me persona të botës së krimit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD deklaroi prerë se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar të thirrur nga bandat e krimit.