Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Tirana, në skajet e Lanës

Nga A2 CNN
26 Shtator 2020, 20:32 | Aktualitet
Tirana, në skajet e Lanës

Tirana, kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, na dhuron çdo vit më shumë se 270 ditë me diell. Një qytet i hapur ndaj rrymave perëndimore të Mesdheut, por i mbrojtur në lindje nga Mali i Dajtit, me një lartësi mesatare prej 110 metra mbi nivelin e detit, Tirana na dhuron një dimër të shkurtër e të lagësht, por një verë të nxehtë, të gjatë dhe të thatë.

Tirana prezanton një reliev të larmishëm; nis në 20 metra lartësi nga niveli i detit, me fushën e Tiranës dhe ngjitet në 200 m lartësi, me vargjet e saj kodrinore për të arritur majën e Sënoit të Madh, në 1848 m. Pozita gjeografike, relievi dhe afria me Detin Adriatik i dhurojnë Tiranës klimën tipike mesdhetare me temperaturë mesatare vjetore prej 15°C dhe mesatarisht 1300 milimetra reshje gjatë vitit. Gjatë natës dhe mëngjeseve, temperaturat në Tiranë rrallëherë zbresin në vlera negative, kjo ndodh më së shumti gjatë muajve janar-shkurt, por nuk janë më tepër se 5-6 ditë gjatë vitit. Ndërsa gjatë verës, Tirana shënon temperatura të larta, termometri ngjitet edhe mbi 40 gradë, gjë e cila po bëhet më e shpeshtë në vitet e fundit gjatë verës në kryeqytet.

Qyteti i Tiranës dallon për lagështirën e lartë dhe reshjet; reshjet e borës janë të rralla në qytet dhe kur shfaqen, përbëjnë ngjarje. Por, bora është e përvitshme në malësinë e Tiranës, është Mali i Dajtit dhe vargjet malore të cilat çdo vit mbulohen nga bardhësia. Një veçori tjetër e kryeqytetit të shqiptarëve është hidrografia e pasur me lumenj dhe liqene artificialë, me burime ujore dhe ujëra nëntokësore të cilët përbëjnë dhe rezervat ujore për furnizimin e popullatës së Tiranës me ujë të pijshëm.

Shtrirjen e Tiranës nga lindja në perëndim e përshkon lumi Lana, që në kushte të tjera do t’i shtonte vlerat kryeqytetit shqiptar. Por Lana, përtej erës së rëndë dhe ujërave të pisët, shpesh tejmbushet nga reshjet duke dalë nga shtrati dhe shkaktuar përmbytje. Lumi Lana ka përmbytur edhe më parë, por pas viteve ’90, me zgjerimin dhe mbipopullimin e Tiranës, por kryesisht prej shtimit të ndjeshëm të ngjarjeve me reshje intensive, Tirana me dhjetëra herë është përmbytur. Por, cila zonë e Tiranës është më e rrezikuara nga vërshimi i Lanës nëpër rrugë dhe cila është pika kritike e nivelit të Lanës?

Me zgjerimin e qytetit në të dy skajet e lumit, përveç shkarkimit të ujërave të zeza, qytetit do t’i duhet të përballojë reshje dhe prurje më të larta. Por, sa i gatshëm do të jetë lumi që ndan mes për mes kryeqytetin për të përballuar këto kapacitete të larta ujore? Një tjetër çështje e ndjeshme e qytetarëve ndaj Lanës është kundërmimi i aromës së rëndë si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i shqiptarëve, por vit pas viti, ajo është bërë destinacion për mijëra turistë nga mbarë bota, për të cilët aroma e rëndë e lumit Lana mbetet një problem kryesor.

Lana në vetvete nuk është një problem për Tiranën, por janë ngjarjet e motit ekstrem me shira të rrëmbyer që detyrojnë lumin të dalë nga shtrati e të marrë rrugët e qytetit. Sa më tepër i afrohet mesit të këtij shekulli, aq më shpejt stinët e vitit në Tiranë do të humbasin tiparet mesdhetare. Moti do të mbetet i nxehtë me temperatura që i kapërcejnë 40 gradët dhe thatësirat çdo vit e më tepër do të tejkalojnë skajet stinore të verës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu