Topalli: E gatshme të bashkoj votat me opozitën, por pa Bashën kryeministër

Jozefina Topalli është e gatshme të bëjë koalicion me opozitën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por vetëm me një kusht, Lulzim Basha nuk duhet të jetë kandidati i opozitës për kryeministër.

“Jam e gatshme të bashkoj votat me opozitën me një kusht, të mos ketë të korruptuar si kryeministër. Domethënë që Lulzim Basha nuk do të jetë kryeministër”, tha Topalli, e ftuar në Ditarin e A2. Megjithatë, Topalli tha se nuk ka ende një emër për kandidatin e saj për kryeministër. “Por kam një parim, të jetë i pa korruptuar dhe të dojë vendin. Duket e thjeshtë por tejet e rëndësishme”.

Ajo tha se synimi i Lëvizjes për Ndryshim, partisë së re të ngritur prej saj, është që të largojë Edi Ramën nga qeverisja, por edhe t’i japë shqiptarëve mundësinë për të larguar 3 kryetarët, siç i quajti ajo kryeministrin, presidentin dhe kreun e opozitës.