Tragjedia shtyu ”8 dhjetorin”, Berisha dhe Basha, sulm Ramës edhe për “anti-shpifjen”

Lulzim Basha dhe Sali Berisha ashpërsuan tonet ndaj qeverisë për përballimin e situatës së 26 Nëntorit. Lideri opozitar Basha tha se tërmeti tregoi se ekzekutivi ka rënë ndërsa paraardhësi Berisha foli për krim shtetëror në Thumanë. Basha e Berisha kundërshtuan edhe paketën anti-shpifje duke deklaruar se po i shpallet luftë fjalës së lirë.
Tërmeti i 26 nëntorit sipas kreut të PD, Lulzim Basha dëshmoi se qeveria shqiptarë kishte rënë për shkak të korrupsionit në çdo sektor.
Në akademinë politike organizuar nga forumi i Partisë Demokratike, ish-lideri demokrat ishte më i ashpër kur akuzoi për krim shtetëror në Thumanë.
“Pallatet e Thumanës ishin të pabanueshme qysh në shtator. Po të ishin strehuar diku tjetër , të 24 do të ishin të gjallë”, deklaroi ish-kryeministri.
Basha dhe Berisha folën me një zë kundër paketës anti-shpifje te qeverisë, që sipas tyre është luftë ndaj fjalës së lirë.
“Kjo Qeveri këtë të mërkurë do të paraqesin në Parlament dy projekt-ligje që janë asgjë më pak se shpallje lufte ndaj fjalës së lirë. Kjo qeveri sjell vetëm varfëri dhe emigracion, kjo është e vërteta që duan të shtrembërojnë me cenimin e fjalës së lirë”, tha kryedemokrati Basha.
Aktiviteti u mbaj në 9-vjetorin e lëvizjes së lirë. Lulzim Basha apeloi qeverinë të mos humbasë më kohë dhe të mos pengojë integrimin, por të plotësojë kushtet e Bundestagut me qëllim që Shqipëria të çelë negociatat.