Trajtimi me plazmë, gjaku i pacientëve të shëruar, çelësi i betejës ndaj koronavirusit

Shkencëtarët në Holandë kanë përpiluar një listë me më tepër se 1500 persona që janë rikuperuar nga koronavirus, të cilët do të dhurojnë gjak, si pjesë e projektit për të realizuar vaksinën kundër virusit nga plazma e tyre.
Përgjithësisht të mbijetuarit nga Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga virusi i ri korona, kanë në gjakun e tyre antikorpe ose proteina që prodhohen nga sistemi imunitar, të cilat luftojnë bakterin. Komponenti i gjakut që transporton antikorpet, mund të mblidhet dhe ti injektohet pacientëve të infektuar rishtaz. Procedura është sqaruar nga zëdhënësi i kopanisë së dhurimit të gjakut, “Sanquin”.
“Qëllimi i aleancës është që të prodhojë një globulinë hiper-imune, të paregjistruar deri më sot, nga e cila do të krijohet një terapi me origjinë nga plazma, për pacientët të cilëve do t’u nevojitet më tepër, prej komplikacioneve të shkaktuara nga virusi. Kura nuk do të ketë një emër, pra do të jetë një përpjekje e realizuar me bashkëpunimin e të gjithëve. Kjo do të thotë se të gjithë anëtarët po vendosin në dispozicion burimet e tyre, për ta bërë realitet këtë nismë, e cila më pas do të vihet në dispozicion të botës. Nga kjo kurë e re, nuk do të përfitojë asnjë kompani. Ne si kompani, i kemi lënë mënjanë interesat tonë individuale, për të qenë në shërbim të interesit të shëndetit publik dhe të pacientëve në mbarë globin”, thotë Merlijn van Hasselt, zëdhënës i kompanisë “Sanquin”.