Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Transporti ajror në Shqipëri, sfidat, ambiciet dhe pengesat e mëdha

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2019, 17:58 | Ekonomi

Shqiptarët po zgjedhin gjithmonë e më shumë ajrin për të udhëtuar. Revolucioni botëror i lëvizshmërisë ka prekur edhe vendin, madje me një ritëm 4 herë më të shpejtë se shtetet e tjera europiane. Mbi 3 milionë pasagjerë kanë fluturuar nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza gjatë 2019-ës, duke e bërë një prej terminaleve me rritjen më të shpejtë.

Emigracioni, diaspora e shpërndarë në të gjithë globin, liberalizimi i vizave dhe tërheqja e madhe e turistëve për nga bregdeti dhe bukuritë natyrore shqiptare kanë ndihmuar në fuqizimin e industrisë ajrore. Nga ana e saj, kjo e ka ndihmuar dhe koncesionarin e aeroportit të realizojë plot 3.1 miliardë lekë, apo 25.6 milionë euro fitim vetëm për vitin 2018.

Por ana tjetër e medaljes flet për mijëra shqiptarë që kur fluturojnë, e bëjnë atë nga aeroportet e rajonit. Aeroporti Adem Jashari në Prishtinë, Aeroporti i Shkupit dhe ai i Podgoricës janë disa nga pikat kryesore që përfitojnë nga ndërlidhja më e mirë dhe çmimet më të lira të linjave ajrore që operojnë në to.

Për pasagjerët e tjerë që fluturojnë nga Rinasi, gjasat janë që të paguajnë më tepër se fqinjët e tyre. Kjo bën që transporti ajror të mbetet ende i papërballueshëm për shumë familje, duke kushtëzuar takimet me familjarët jashtë vendit, apo duke reduktuar numrin e vizitave turistike.

Historiku i aviacionit

Izolimi i Shqipërisë për disa dekada me radhë në periudhën e diktaturës është një nga arsyet që kanë penguar zhvillimin e aviacionit larg potencialit të vërtetë të tij. Kjo veçanërisht nëse konsiderojmë se transporti ajror për civilët i ka fillesat e tij qysh në vitet ’20. Në vitet ’30-’40 ai mori një hov edhe më të madh, me një sërë linjash të ngritura në destinacione brenda dhe jashtë vendit. Të tilla ishin fluturimet nga kryeqyteti drejt Vlorës, Gjirokastrës, Peshkopisë, Kukësit, Shkodrës, Korçës, Devollit e deri në Romë, Brindisi, Sofje e Selanik. Ku çmimet varionin nga 11 deri në 100 franga ari, të krahasueshme me çmimet e biletave sot.

Liberalizimi i tregut

Sot Shqipëria kërkon të zgjerojë horizontet e saj në qiell, me plane për të nisur operimet nga aeroporti i Kukësit dhe ai i Vlorës. Liberalizimi i këtij tregu, u mundësua vetëm pas negociatave të gjata me koncesionarin e Aeroportit Nënë Tereza, me kushtin që për çdo aeroport të ri, kontrata të zgjatet më tej.

Plani i dy aeroporteve të reja synon që të thithë kompani ajrore low-cost, përmes tarifave avantazhuese. Një konkurrencë që kërkon të ndikojë edhe në reduktimin e çmimeve në Rinas.

Mbi të gjitha, aeroporti i Vlorës kërkon të krijojë një arsye më shumë për turistët e huaj që të vizitojnë jugun e vendit. Skenari bazë parashikon 370 mijë pasagjerë në vitin e parë të operimit, për të kapur shifrën 1 milionë në vitin 2036.

Nga ana tjetër, në Aeroportin e Kukësit, pavarësisht premtimeve të qeverisë, operimi nuk ka nisur ende. Punimet janë shtyrë për shkak të problemeve me shpronësimet dhe nuk ka një datë për fillimin e fluturimeve. Kjo shtyn rrjedhimisht edhe efektin e pritshëm si gjenerator i vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e ekonomisë së zonës.

Air Albania

2019-ta pa njëkohësisht lindjen e Air Albania, linjës flamurmbajtëse, por jo të parës që ngjyros kuqezi qiejt. Që prej vitit 1991, Arbëria Airlines nisi si një linjë private për politikanët e regjimit, duke u shndërruar 1 vit më pas në Albanina Airlines për t’i hapur dyert për publikun. Linja e ngritur në bashkëpunim me austriakët e Tyrolean Airlines u privatizua në 1997-ën dhe në 11 Nëntor 2011 iu revokua licenca nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Linjë tjetër shqiptare ishte ajo Belle Air, e ngritur në 2005 dhe shtyrë drejt mbylljes në 24 Nëntor 2013 për shkak të vështirësive financiare. Prej 2016-ës, në treg operon edhe një tjetër linjë me flamurin shqiptar, Albawings, që kryen fluturime drejt Italisë, Gjermanisë, Sllovakisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Por me ngritjen e Air Albania, në partneritet me Turkish Airlines, qeveria që ka 10% të aksioneve, synon mbi të gjitha të krijojë konkurrencë në çmime.

Migjeni dhe Lasgushi, dy avionët e flotës së Air Albania, aktualisht operojnë me Stambollin dhe Milanon, Bolonjën e Romën. Aktualisht kjo linjë mban 10% të peshës së tregut, kryesisht falë zëvendësimit të Turkish Airlines në fluturime.

Destinacionet

Vitet e fundit destinacionet e shqiptarëve janë shpërndarë kudo në Europë, por Italia mban vendin e parë. Kjo ka ndihmuar linja si Blue Panorama, Ernest Airlines, Albawings, Alitalia, e së fundmi Air Albania të dominojnë tregun.

Risia e viteve të fundit janë fluturimet low-cost dhe destinacionet e pushimeve gjatë gjithë vitit, që janë shtuar me ngritjen e shtresës së mesme dhe të lartë të vendit. Ndërsa gjatë verës, transporti ajror karakterizohet nga udhëtimet charter, thënë ndryshe fluturimet e posaçme të turistëve që vijnë nga vende si Norvegjia, Suedia, Ukraina, dhe Izraeli, por edhe nga destinacionet e pushimeve të shqiptarëve në Antalia, Sharm el Sheikh e më gjerë.

Por pavarësisht garës së lehtë në këtë treg, numri i udhëtimeve mbetet i ulët. Madje 5 deri në 7 herë më i ulët se në vendet e zhvilluara. Diçka që përveç gjendjes, tregon edhe perspektivën e madhe për t’u rritur e për të udhëtuar më lehtë për pushime, vizita tek familjarët apo edhe për biznes.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani