Trazirat në Barcelonë, presidenti katalanas: Të ndalet dhuna

Kaos, dhunë e zjarr. Për të tretën ditë radhazi pamjet që vijnë nga Barcelona janë këto. Trazirat pasuan vendimin e gjykatës së lartë ditën e hënë, për dënimin me burg të liderëve separatist të Katalonjës, lidhur me rolin e tyre në referendumin e pavarësisë në vitin 2017.
Presidenti i rajonit të Katalonjës Qium Torra kërkoi ndaljen e menjëhershme të dhunës në vend.
“Bëj thirrje për qetësi. Lëvizja për pavarësi nuk është e dhunshme. Ne kemi dënuar gjithmonë dhunën, dhe ajo duhet të ndalet menjëherë. Nuk mund të lejojë që incidente të tilla të ndodhin në rrugët e vendit tonë”, deklaroi Torra.
Presidenti katalanas, mbështetës i pavarësisë së rajonit, u detyrua të dënonte dhunën pas thirrjes së drejtpërdrejtë nga kryeministri Spanjoll Pedro Sanchez.
“Dua t’i bëj një thirrje presidentit të Katalonjës; ai ashtu si pjesëtarët e qeverisë së tij, kanë detyrën morale dhe politike që të dënojnë pa asnjë justifikim përdorimin e dhunës në Katalonjë”, deklaroi Sanchez.
Në Barcelonë, protestuesit u vunë flakën barrikadave e automjeteve, dhe hodhën bomba Molotov kundër policëve. Manifestuesit po përdorin një aplikacion të njohur si Tsunami Democratic, i cili i drejton për në zona të caktuar në qytetet katalanase.
Autoritetet spanjolle thanë se po zhvillojnë hetime për të zbuluar koordinuesit e trazirave. Të hënën, mijëra protestues bllokuan rrugët për në aeroportin El Prat të Barcelonës. Më shumë se 100 fluturime u anuluan.

Shkarkoni aplikacionin e A2