Trukimi në Bylis-Tirana, Duka paralajmëron ndëshkime: Ka dyshime të forta

Inspektimi në stadiumin e ri të Kukësit ishte mundësia e parë që Armand Duka të shprehej rreth hetimit për trukime, të ndeshjes së Kupës ndërmjet Bylisit dhe Tiranës. Rreth çështjes ku përveç Komisionit të Etikës, janë angazhuar ndërkombëtarët dhe UEFA, kreu i federatës pohoi se edhe ai vetë ka dyshime për parregullsi.

“Nuk më vjen mirë që duhet të flasim për trukime pas asaj që ka ndodhur me futbollin shqiptar nga Covid-19. Është një dyshim i fortë që ndeshja Bylis-Tirana është e dyshuar për trukim. Unë nuk jam jurist dhe hetues, por si tifoz edhe mua ashtu më duket. Juristët dhe hetuesit po mundohen të mbledhin prova për të parë nëse është vërtetë e trukuar. Edhe ndërkombëtarët dhe UEFA në bashkëpunim të ngushtë po hetojnë që nga dita e parë për të dalë në një konkluzion”, tha Duka.