Trump me COVID-19, mjekët: Ditët në vijim do jenë prova e vërtetë

Presidenti është shumë më mirë tani. Kjo është deklarata më e fundit e Shtëpisë së Bardhë mbi gjendjen shëndetësore të Donald Trump, gjë të cilën e konfirmon edhe ai vet por i trembet ditëve në vijim.
“Dua t’ju konfirmoj të gjithëve se ndihem më mirë tani. Nuk e di si do vijoj gjatë ditëve që pasojnë pasi besoj ato janë prova e vërtetë, ndaj na mbetet të presim”, deklaroi presidenti.
Këtë mesazh ia dedikoi të gjithë amerikaneve por kryesisht mbështetësve që u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në dhënien kurajë për presidentin. Zërave që i urojnë shërim të shpejtë iu shtuan edhe sfiduesi i tij për president Joe Biden me të shoqen por pak pas kësaj deklarate nuk munguan edhe akuzat.
“Po të isha president do përdorja autoritetin tim që mjetet e ndihmës personale të shpërndaheshin gjithkund, tek çdo biznes dhe shkollë e këtij vendi. Dhe kjo duhej të shpërndahej shpejt dhe si duhet. Por nga administrata amerikane pohojnë se presidenti po vepron më së miri edhe pse nuk ulet në karrigen e tij të përhershme”, deklaroi kandidati demokrat.
Më tepër angazhim premtoi edhe vet Trump “Dua të falënderoj mjekët që po bëjnë çmos qe unë ta kaloj sa më parë këtë pasi duhet të kthehem. Duhet të punoj prapë që ta rikthejmë Amerikën të lavdishme. Kemi bërë një punë të mrekullueshme por ende na mbetet diçka që ta çojmë deri në fund. Për këtë do kthehem, dhe do kthehem shpejt”, tha ai.
Se kur Trump do kthehet e dinë mjeket e qendrës mjekësore Walter Reed, të cilët konfirmojnë se presidenti ende nuk e ka kaluar rrezikun. CNN konfirmoi gjithashtu nëpërmjet burimeve zyrtare se Donald Trump ka pasur nevojë për oksigjen.