Trump përplaset me shkencën, deklarata kontradiktore për vaksinën dhe maskën

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, çështja e koronavirusit ka marrë nuanca të qarta politike në Shtetet e Bashkuara me Donald Trump që promovon një realitet të ndryshëm me atë të ekspertëve të shëndetësisë.
Ndërsa SHBA mbetet në krye të listës së vendeve më të prekura nga pandemia, me mbi 6.6 milionë raste dhe gati 200 mijë vdekje, Donald Trump doli edhe një herë kundër shkencës duke thënë se vaksina do të ishte gati menjëherë dhe jo në mesin e vitit 2021 siç kishte thënë kreu i qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.
“Jo, mendoj se ai bëri një gabim kur e tha diçka të tillë. Është informacion i pasaktë. Ne jemi gati të nxjerrim vaksinën menjëherë sapo ajo të aprovohet. Mund të ndodhë në tetor, ose ndoshta pak më vonë se tetori”, deklaroi presidenti amerikan”, deklaroi Donald Trump.
Pak më herët, kreu i qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve Robert Redfield tha se vetëm një sasi e kufizuar vaksine mund të ishte e gatshme në fund të vitit ndërsa për publikun e gjerë sipas tij do duhej pritur deri në mesin e 2021-shit, ose ndoshta më vonë.
“Mendoj se një vaksinë do të jetë fillimisht e disponueshme mes nëntorit dhe dhjetorit, por në sa si shumë të kufizuar. Nëse më pyesni se kur do të jetë gati për publikun amerikan, mund të them, me shume gjasë pas mesit të vitit të ardhshëm”, tha Redfield.
Trump kundërshtoi Redfield edhe lidhur me çështjen e maskës, duke rrezuar sugjerimin e shkencëtarit se ajo mund të jetë më e rëndësishme se vaksina.
Pas komenteve të Trump një zëdhënës i qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve u detyrua të korrigjonte deklaratën e Redfilld, duke thënë se kur kishte përmendur mesin e vitit si afat kishte nënkuptuar përfundimin e procesit të vaksinimit të popullsisë. Nuk është hera e parë që Trump detyron ekspertin e shëndetësisë të rishikojë opinionet lidhur me pandeminë.