Trump: Ushtarët kthehen në shtëpi, Turqia lufton ISIS në Siri – A2

Trump: Ushtarët kthehen në shtëpi, Turqia lufton ISIS në Siri

“Presidenti Erdogan i Turqisë më informoi se ai do të çrrënjosë çfarëdo që ka mbetur nga ISIS në Siri dhe ai është një person që mund ta bëjë këtë, plus Turqia është vend fqinj. Trupat tanë po kthehen në Shtëpi!”.

Në këtë mënyrë, Presidenti amerikan Donald Trump mbrojti përsëri vendimin e tij për tërheqjen e ushtrisë nga Siria. Ai thotë në disa mesazhe në Twitter se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun turk, Recep Tayipp Erdogan sa i përket angazhimit të Shteteve të Bashkuara në shtetin e prekur nga lufta civile. Trump njoftoi se është dakordësuar me presidentin turk për tërheqjen e ngadaltë dhe të koordinuar të ushtarëve amerikanë nga Siria.

Kjo lëvizje e tij është kundërshtuar brenda dhe jashtë vendit. Presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi presidentin Trump për tërheqjen e njëanshme nga Siria duke thënë se një aleat duhet të jetë i besueshëm.

Vendimi i presidentit amerikan shkaktoi edhe dorëheqjen e dytë në administratë pas shefit të Pentagonit, James Mattis. i dërguari amerikan në koalicionin anti-ISIS, Brett McGurk njoftoi largimin nga detyra për shkak të vendimit për tërheqjen e trupave nga Siria.

Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë, i zemëruar nga mbulimi pozitiv i dorëheqjes së shefit të Pentagonit dhe të letrës së tij ku distancohej nga vendimet e fundit të administratës, dërgoi gjeneralin Mattis në shtëpi dy muaj më herët nga sa ishte parashikuar. Trump zgjodhi zëvendësin e Mattis, Patrick Shanahan si zëvendësuesin provizor të tij. Ai do të marrë drejtimin e Pentagonit në 1 janar të 2019-s.

Shkarkoni aplikacionin e A2