Trump vijon fushatën: Fitorja e demokratëve do ta çonte vendin në kolaps

Në të njëjtën ditë kur Partia Demokrate nisi konventën, presidenti amerikan Donald Trump vizitoi zonat qendrore të vendit në vazhdën e fushatës së zgjedhore.
Gjatë tubimeve në Minesota dhe Uiskonsin ditën e hënë, ku nuk mungoi muzika rock dhe slogani “Ta bëjmë Amerikën Përsëri të Madhe,” kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi rivalin e tij së ishte kthyer në një kukull të fashistëve të së majtës, siç i quajti.
Fitorja e kundërshtarëve demokratë, paralajmëroi Trump, do të nënkuptonte kufij të hapur, kolaps ekonomik dhe katastrofa të tjera.
“Ne do të shpëtojmë qytetet tona nga e ardhmja e mbushur me krim, kaos, korrupsion dhe kolaps ekonomik, ku kukulla Joe Biden do të zhysë Amerikën. Ai është një kukull, nuk e bën me qëllim por bën çfarëdo që i thonë pasi nuk e ka idenë” deklaroi Trump.
Më pas, gjatë një aktiviteti të ngjashëm në aeroportin Oshkosh të Uiskonsinit, presidenti tha “askush nuk do të jetë i sigurtë në Amerikën e udhëhequr nga Joe Biden,” duke akuzuar se dyshja pretendente e demokratëve, Biden dhe Harris “janë pro krimit dhe kundër policëve”.
Trump pati një perfomancë të mirë në Minesota gjatë zgjedhjes së 2016-tës, ku Hillary Clinton siguroi atje një fitore të ngushtë. Në fushatën e suksesshme presidenciale të vitit 2016, Trump përshëndetej me brohoritjet e mbështetësve dhe pankarta të shumta në tubimet e mëdha publike.
Por, tubimet publike të fushatave politike të Presidentit Tump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden, janë pakësuar këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit që ka bërë të nevojshme ruajtjen e distancimit fizik. Presidenti Trump të hënën shprehu pakënaqësinë e tij për ndryshimet e imponuara nga pandemia, për të cilën ai fajëson Kinën që, sipas tij, lejoi përhapjen e koronavirusit nga Wuhani.