Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Turistët shpëtojnë konsumin, tregtia me pakicë u gjallërua gjatë sezonit veror

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 13:21 | Ekonomi

Turistët shpëtuan konsumin gjatë muajve të verës. Në një kohë kur shqiptarët blenë më pak si pasojë e çmimeve të shtrenjta, të huajt gjallëruan tregtinë me pakicë në vend.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve korrik-shtator, volumi i shitjeve nga zinxhiri i bizneseve tregtare, pa përfshirë karburantet, u rrit me 4.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por kjo rritje sipas tregtarëve, mund t’i vlerësohet kryesisht sezonit të mirë turistik, që solli më shumë vizitorë në vend. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun e muajve korrik-shtator, që përkon edhe me pikun e sezonit, të huajt shpenzuan plot 1 miliard euro, duke regjistruar kështu një rekord historik.

Shitjet kryesore janë realizuar në marketet ushqimore, ndjekur nga dyqanet për artikuj të tjerë dhe karburantet. Konsumi i lëndëve djegëse në muajt e verës, historikisht, rritet si pasojë e shtimit të lëvizjeve nga qytetarët.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve korrik-shtator në vend hynë mbi 3.8 milionë turistë, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë.

Përfaqësues nga rrjeti i tregtarëve pohojnë se nëse tregtia me pakicë do të mbështetej vetëm te konsumi vendas, shifrat do të ishin ndjeshëm më të ulëta.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu